Loading...

Shpendi i unazuar në Guinea-Bissau fotografohet në Lagunën e Nartës, një oaz paqeje i Shqipërisë

Shpendi i unazuar në arkipelagun Bijagos në Guinea-Bissau-n e largët në Afrikën Perëndimore është fotografuar gjatë vrojtimit tepër interesant të regjistruar për inventarizimin e shpendëve folezues në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky shpend në lagunën e magjishme të Nartës, në Vlorë.

“Mirëmëngjes nga një oaz paqeje i Shqipërisë tonë të bukur, në Nartën e magjishme të Vlorës. Shpendi i unazuar në arkipelagun Bijagos në Guinea-Bissau-n e largët, fotografohet në Lagunën e Nartës”, – thekson Kryeministri Rama.

Ky shpend është individ i gjelëzës gushëkuqe (Calidris ferruginea) që është unazuar në mars të vitit 2018 në arkipelagun Bijagos në Gine-Bisonë e largët në Afrikën Perëndimore.

Ky vrojtim është cilësuar tepër interesant edhe nga kërkuesit që kanë unazuar shpendin të cilët konfirmuan se është rasti i parë që një shpend i unazuar në arkipelagun Bijagos vrojtohet në Shqipëri. Gjithashtu ky vrojtim jep të dhëna të rëndësishme mbi ekologjinë e shtegtimit të këtij lloji.

Gjelëza gushëkuqe, folezon në Siberi dhe dimëron në zonën tropikale dhe subtropikale të Indo-Malajzisë, Australisë dhe Afrikës Tropikale. Ky individ përshkon mbi 20 000 km çdo vit, nga vendi i folezimit drejt vendeve të dimërimit dhe anasjelltas.

Në vendin tonë, ashtu sikurse në të gjithë Palearktikun (përveç zonave të folezimit) ky lloj haset gjatë periudhës së shtegtimit.

Me qindra ekzemplarë të këtij lloji kanë ndaluar pothuajse çdo ditë gjatë kësaj periudhe në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Krahas kësaj, mbi 100 000 shpendë shtegtarë kanë ndaluar deri më tani, vetëm këtë vit, në këtë zonë që prej fillimit të sezonit të shtegtimit dhe ky numër pritet të disafishohet gjatë gjithë periudhës së mbetur të 2020-ës.

Këto shifra faktojnë rëndësinë e madhe që ka Vjosë-Narta në korridorin e shtegtimit të Adriatikut, duke përbërë një prej zonave më të rëndësishme të tij. Vjosë-Narta është një ndër mrekullitë e rralla që gëzon Shqipëria. Urojmë dhe shpresojmë që të gjithë të ndërgjegjësohemi për këtë, dhe ta ruajmë ashtu sikurse natyra e ka krijuar. Cenimi i kësaj zone do të përbënte një prej mëkateve më të mëdha që mund t’i bëhet jo vetëm natyrës së vendit tonë, por të gjithë Europës dhe më gjerë.

Inventarizimi i shpendëve folezues po realizohet nga PPNEA dhe AdZM Vlorë me mbështetjen e CEPF, në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com