Shqipëria ka numrin më të ulët të vdekjeve për 1 milion banorë në rajon dhe në Europë sa i takon betejës me COVID-19, sipas “Coronavirus Worldmeter”.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar të dhënat e “Coronavirus Worldometer”, ku tregohet përballimi i koronavirusit në Shqipëri, gjë që dëshmon edhe efikasitetin e masave të marra nga qeveria.
Sipas grafikut të publikuar nga Rama, të cilat i referohen statistikave të “Coronavirus Worldmeter”, rezulton se vendi ynë ka numrin më të ulët të jetëve të humbura në Europë dhe në rajon nga COVID-19 për 1 milion banorë.
“Albania the Best. Çudi e madhe ëëë?! Strategji jo, plan jo, teste jo e jo, mjekësi jo që jo, qeverisje jo dhe jo, po ja që kur hap sytë e shikon, na del Shqipëria më mirë se tërë dynjaja deri tani në bilancin e kësaj lufte të mallkuar”,- shprehet Rama.
“Krenar për Shqipërinë që sot ka këtë bilanc falë popullit të mençur dhe mirëkuptues me qeverinë dhe frikë nga injoranca që na rrezikon gjithçka, sa më shumë ky bilanc varet nga sjellja e çdo individi në kushtet e rihapjes. Të dhënat janë nga Coronavirus Worldometer”,- nënvizon Kryeministri Rama.
Shqipëria rezulton se ka 39.7% raste aktive, 56.5% të shëruar ndërsa 3.9% humbje jete nga COVID-19.
Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive. //atsh