Loading...

Përfaqësuesja e OBSH-së: Shqipëria iu përmbajt rreptësisht protokollit, kurba është ruajtur mirë

Përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri, Bettina Menne deklaroi se Shqipëria i është përmbajtur rreptësisht protokollit për numrin e testimeve për zbulimin e rasteve me koronavirus.

Në një nga mediet e vendit, Menne foli edhe për rrugën që ndiqet nga autoritetet tona për rastet që zbulohen dhe më pas vendoset që të testohen kontaktet e tyre. “Mendoj se jeni duke folur për dy çështje që lidhen me njëra-tjetrën, për testimet dhe menaxhimin e pacientëve. Mesa kam kuptuar unë situatën në Shqipëri, është zhvilluar triazhi, ndarja e pacientëve, me simptoma të rënda nga ato të lehtat. Atyre me simptoma të lehta u kërkohet që të qëndrojnë në mbikëqyrje dhe në shtëpi, duke marrë në konsideratë që dhe njësitë e kujdesit, nuk kanë shumë shtretër. Pra u mor masë për të pasur sa më pak persona në spital. Duhen 12 persona për t’u kujdesur për një pacient. Shqipëria iu përmbajt rreptësisht protokollit të OBSH. Ajo që themi ne është: testoni rastet e dyshuara. Kur një person ka njoftuar qendrën e Urgjencave, është bërë Triazhimi, është njoftuar ISHP, spitali, Komiteti i Emergjencave, ngrihet grupi i investigimit, të cilët hetojnë se me kë ka pasur ky person kontakte. 2500 persona janë testuar deri tani. Nëse protokolli i testimit ka ndryshuar, ai duhet të përcaktojë se kush do t’i nënshtrohet testimit. Nëse do bësh testin e PCR, do duhet ta përsërisësh sërish pas 2 javësh. Nuk është vetëm një herë”, tha ajo.

Lidhur me kurbën aktuale të pandemisë, ajo tha se kjo është mëse normale. “Së pari, ju flisni për kurbën e pandemisë, ne flasim për rastet e izoluara, flasim për grupimet e rasteve dhe transmetimi në komunitet. Pra, çfarë vëreni me këto zigzage? Në majë të zigzagut është grupi i atyre rasteve të identifikuara në një apo dy familje, në një dasmë, në një fasoneri, në një spital apo në një burg. Pra papritur ka një shpërthim të rasteve. Pikërisht këtë identifikon kjo kurbë e rasteve të epidemisë në Shqipëri. Në vendet e tjera, si Italia vazhdon kjo kurbë por papritur kemi një rritje të menjëhershme. Pra gjithnjë do të keni një zigzage kurdoherë që ta shikoni këtë kurbë. Çështja e dytë, gjithçka që vërehet në të gjitha vendet është një ulje e numrit të rasteve çdo fundjavë, sepse gjatë fundjavës bëhen më pak testime, kudo që të ndodheni. Pra, ky zigzag është mëse normal. Në rastin tuaj është i tillë për shkak të shpërthimit të disave grupimeve të rasteve. Çdo mbledhje e njerëzve, çdo grumbullim i njerëzve mund të çojë në një pikë rastesh. Në të ardhmen ne duhet të jetojmë me këtë virus si qenie njerëzore për sa kohë që nuk e kemi vaksinën, ose për sa kohë që të kemi trajtime të mira”, u shpreh ajo.

Ajo argumentoi se disa masa të marra kanë qenë efikase për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në mënyrë masive.

“Në Shqipëri fatkeqësisht vetëm 31 persona kanë humbur jetën. Sot ka vetëm 3 persona në kujdes intensive. Kurba është ruajtur mirë. Ka vatra të nxehta si Tirana, Durrësi, Kruja, Shkodra etj. që ju i quani zona me rrezik. Fatkeqësisht në Shqipëri humbën jetën disa persona, por për fat të mirë këtu nuk ndodhën kaq shumë vdekje. Masat do kenë qenë të suksesshme, pasi përndryshe do kishit problem të madh me spitalet sidomos. U ndal fluturimi me avionë, u ndalua lëvizja për aq sa e ishte e mundur, u ndalua kontakti fizik që të mos transmetohej virusi nga njeriu tek njeriu, sidomos tek ata persona që kanë sëmundje shoqëruese. U morën masa si ulja pak larg nga njëri-tjetri në bare, kudo. Duhet vazhduar me kujdes të madh me masat e higjienës dhe me shmangien e kontakteve që mund të kenë rrezik”, tha Menne./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com