Loading...

Mjeku Pipero: Inkurajoj hapjen e plotë, situata epidemiologjike në vend dhe rajon na e mundëson këtë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero bën të ditur se është koha që vendi të hapet plotësisht pasi situata epidemiologjike në vendin tonë dhe rajon na e mundëson këtë.

“E kam theksuar se dielli dhe ajri ndihmojnë shumë të mos sëmuremi nga COVID-19, pasi rrisin imunitetin, madje edhe nëse infektohemi e kalojmë shumë lehtë sëmundjen. Kam theksuar dhjetra herë se virusi nuk trasmetohet përmes ujit, ndaj deti dhe rëra janë të këshilluara, pushimet dhe turizmi të inkurajuara. Por nuk rekomandoj “sfidën”, përkundrazi kujdesin. Virusi ende qarkullon, beteja ende vazhdon. Dhjetra herë kam theksuar se virusi nuk qëndron në ajër në mjediset e hapura, ndaj kam inkurajuar dhe shpjeguar profesionalisht pse duhet të jemi të vendosur për hapjen, e cila deri tani duhej të ishte graduale. Këtej e tutje vetëm e kujdesshme”, deklaroi mjeku Pipero.

Si mjek dhe profesionist i shëndetit publik, Pipero u shpreh se mirëkuptoi çdo vendim të institucioneve në respekt të distancimit social, për më tepër në një mori informacionesh shpesh kontraditore për COVID-19, dhe aq më tepër në një sërë udhëzimesh të OBSH-së.

“Ndoshta i kam lodhur qytetarët duke më dëgjuar çdo natë, ndoshta kam përsëritur veten shpesh, por kam qenë dhe jam i drejtëpërdrejtë me qytetarët. Shpresoj të mos jem bërë “babai i mërzitjes”. I përulem mirëkuptimit dhe durimit të tyre, dhe tani që jemi në fund të kësaj epidemie sërish ju kërkoj pak kujdes, asgjë më shumë”, deklaroi Pipero.

Ai inkurajoi komitetin e ekspertëve të jetë më i sigurt në rekomandimin për hapjen e plotë, situata epidemiologjike në vendin tonë dhe rajon na e mundëson këtë.

“Jo një ditë por edhe një orë më parë se të tjerët të hapemi, do kemi shumë më tepër përfitime. Jo vetëm ekonomike por mbi të gjitha psikologjike dhe shëndetësore”, u shpreh Pipero.

Po ashtu, Pipero bëri të ditur se i ka kërkuar Komitetit të orientojë gjurmimin e rasteve përmes hetimit intelegjent dhe aplikimin e PCR, “tamponit”për rastet më klinike, dhe të planifikojë një studim seroprevalence për të parë shkallën e ekspozimit e ndërtuar strategji për të përballuar një rikthim të mundshëm të epidemisë në fund viti, të cilën unë e besoj pak, por nuk e përjashtoj dot, krahas analizave serologjike që po vazhdojne aktualisht.

“Kështu mund të kontrollojmë me sukses edhe më tej epideminë. Së bashku si deri tani do e fitojmë betejën me COVID-19”, tha Pipero./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com