Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu reagoi sot ndaj takimit që kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi me qytetarë në zonën e Kënetës në Durrës, ndonëse jemi në kohë pandemie dhe deri në 23 qershor në gjendje të fatkeqësisë natyrore, ndalohen grumbullimet masive.
“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh”, është shprehur Manastirliu.
“Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?! Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!”, ka theksuar Manastirliu.
Ministrja u ka bërë thirrje qytetarëve qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme.
“U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”, apelon ministrja Manastirliu./atsh