Divjakë-Karavasta mbetet kolonia më e madhe dhe më e larmishme e çafkave dhe karabullakëve në Shqipëri.
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) bën të ditur sot në Ditën Ndërkombëtare të Biodiveristetit rezultatet nga monitorimi në terren i kolonisë së e çafkave dhe karabullakëve.
“Kolonia po gëlon nga aktiviteti folezues. Monitorimi i saj nga ajri me dron dhe nga toka me teleskop e dylbi, tregon se kolonia ka nisur aktivitetin që prej muajit prill me folezimin e njëpasnjëshëm të çafkës së bardhë të vogël me 35 % të folezuesve, karabullakut të vogël me 25 %, çafkës së natës me 13 %, çafkës së lopëve me 10 %, çafkës së verdhë me 8 % kojlikut të zi me 9 %”, thekson AOS.
Vizita në koloni dhe vrojtimi në distancë tregon se pjesa më e madhe e çafkave të bardha të vogla dhe Karabullakëve të vegjël kanë çelur të vegjlit, ndërsa speciet e tjera vazhdojnë me ngrohjen e vezëve.
“Kolonia duket e pashqetësuar dhe në gjendje të mirë. Fotografitë ajrore të lënë të kuptosh se kolonia është pak a shumë në të njëjtën madhësi me viti e shkuar. Megjithatë, numri i çifteve folezues pritet të verifikohet saktësisht në fund të sezonit të folezimit”, – shprehet AOS.
Sipas saj, shifrat dhe fotot dëshmojnë se Divjakë-Karavasta mbetet kolonia më e madhe dhe më e larmishme e çafkave dhe karabullakëve në Shqipëri.
Kjo koloni është, pa më të voglin dyshim, një vlerë e jashtëzakonshme për larminë biologjike në Shqipëri./atsh