Kryeministri Edi Rama shpjegoi sot se pse në fundjavë ka një rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave.
Rama tha se “e gjithë dinamika e kësaj lufte, e cila do të jetë gjithnjë e më shumë betejë e përditshme e secilit me veten në radhë të parë, varet qysh prej ditës 1 nga niveli i ekspozimit të popullatës ndaj virusit”.
“Ja pse nuk është e vështirë të kuptohet pse në fazën 1 orët e lëvizjes ishin shumë të kufizuara për punë apo për pazar. Faza dy nisi me lehtësime me zona dhe fasha të ndryshme, ashtu sikundër s’besoj të jetë më e vështirë për t’u kuptuar se me fashën tanimë të hequr fare në “zonat e gjelbra” apo të zgjeruar deri në 9 të darkës në “zonat e kuqe”, dita e shtunë dhe e diel kanë një rrezik shumë më të madh ekspozimi nëse lejohet qarkullimi i lirë i makinave dhe derdhja në rrugë e të gjithëve pa përjashtim në këtë mot kaq të bukur dhe joshës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk është virusi që na lufton me orare dhe as që del më i armatosur të shtunën a të dielën në “zonat e kuqe”, por jemi ne që përpiqemi të mbrohemi ndërkohë që hapemi me kujdes dhe zgjerohet hapësira jonë e lëvizjes”.
“Unë e kam ditur dhe ua kam thënë qysh ditën e parë dhe në vijim se çfarë lufte nervash dhe sprove ekstreme durimi do të ishte e tërë kjo dreq historie. Dhe nëse sot shumëkush e hedh ujët përpjetë duke bërë të zgjuarin dhe duke përqeshur gjithçka kemi bërë deri këtu sepse i duket krejt gabimisht sikur e tëra ishte kot përderisa nuk numëruam mijëra apo qoftë edhe qindra të vdekur, e vërteta që e di çdo mendje e kthjellët është se pikërisht pse ne bëmë ato që bëmë dhe po bëjmë ato që po bëjmë nuk patëm vuajtjet e tmerrshme të shumë vendeve e shumë popujve të tjerë”, tha Rama.
Kryeministri solli shembullin e shtetit të Masaçusets në Amerikë që dihet botërisht si shteti me sistemin më fantastik shëndetësor të SHBA-së. “Ka dyfishin e popullsisë së Shqipërisë dhe sot është ende i mbyllur teksa ka numëruar deri më tash mbi 6 mijë të vdekur. Pse? Pikërisht sepse nuk bëri këto që plot ndjekës së kësaj faqeje i quajnë budallaqet e mia dhe më tregojnë Suedinë, komplotin e Bill Gates për t’i futur laçjanëve dhe myzeqarëve mikroçipin në trup përmes vaksinës që t’u kontroll pastaj mendimet, komplotin e madh global për të vrarë pleqtë që kapitalizmi të mos harxhojë lekë për pensione dhe lloj-lloj fantazish e absurditetesh të kësaj natyre në botën akademike të rrjeteve sociale”, tha Rama.
Rama tha se Suedia sot ka numrin më të madh të vdekjeve për milionë banorë në planet, ndërsa Shqipëria ndër më të ulëtin. “Suedia nuk është vendi i ‘qepalla vëlla’ dhe as vendi ku bëhen dasma me nga 500 vetë pa llogaritur faktin se ata s’kanë nevojë as për policë as për ushtri në rrugë kur qeveria u thotë ruani distancat. Tani kanë filluar pretendimet se bota qenka hapur dhe vetëm Shqipëria rri mbyllur. Ndërkohë që na doli së fundi se tërë tumat e zhurmave me molotov e flakëhedhës dhe me bllokime rrugësh e bojkotime zgjedhjesh e paskan pasur hallin tek teatri, Shekspiri dhe Molieri. Cila botë është hapur më shumë se Shqipëria sot në fazën 2. Shkoni në Greqi dhe Itali dhe lëvizni me makinë jashtë prefekturave ose shkoni në Spanjë e ikni me makinë në plazh e me radhë dhe shiheni si është”, tha Rama. /atsh