Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca deklaroi sot se IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19
Ambasadori Soreca ishte sot së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Grabjan të Lushnjës në një nga fermat më të mëdha të mbarështimit të lopëve dhe përpunimit të qumështit, ku në bashkëpunim me financimet e BE-së, po modernizohen proceset në sistemin e mjeljes për një qumësht më të sigurt në treg.
“IPARD po funksionon shumë mirë pavarësisht krizës së COVID-19. Ne jemi vërtetë shumë të kënaqur që jemi këtu bashkë me Agjencinë (AZHBR) e që kontributi ynë po i ndihmon fermerët shqiptarë që ta kalojnë këtë krizë”, tha Soreca.
“Mund të shikoni këtu një teknologji mjaft të lartë që do të ndihmojë fermerët shqiptarë për t’i bërë ata më konkurrues dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së”, theksoi ambasadori i BE.
Kjo, u shpreh ai, “do të thotë që fermerët shqiptarë do të kenë mundësi që të eksportojnë në BE, por edhe më tej. BE ndihmon qytetarët në aktivitetet e përditshme duke siguruar që krizën ta tejkalojmë dhe të ndihmohet ekonomia shqiptare që të funksionojë”.
“Ne punojmë shumë mirë me AZHBR-në. Falënderoj drejtoreshën, por në veçanti dëshiroj të falënderoj të gjithë fermerët që po bëjnë një punë fantastike. Ne jemi këtu që të ndihmojmë qytetarët shqiptarë që të tejkalojnë këtë krizë”, theksoi Soreca./atsh