Loading...

Faza e parë u kalua me sukses/ Mjekët dhe infermierët e COVID2 rrëfejnë vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka publikuar një video nga spitali COVID 2 “Shefqet Ndroqi”.

Manastirliu thote se pavarësisht pasigurisë nga e panjohura, rrezikut e frikës për vete dhe familjarët, mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi i spitaleve që trajtojnë pacientët me COVID19 kanë bërë një punë heroike.

“Stafi mjekësor i spitaleve COVID e ka përballuar me sukses fazën e parë të epidemisë. Pavarësisht pasigurisë nga e panjohura, rrezikut e frikës për vete dhe familjarët, mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi i spitaleve që trajtojnë pacientët me Covid19 kanë bërë një punë heroike në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm”, u shpreh Manastirliu duke sjellë rrëfimet mbi eksperiencën dhe përjetimet e mjekëve dhe infermierëve të spitalit COVID2, spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”.

Në video stafi i mjekëve dhe infermierëve tregon përballjen në vijën e parë me COVID-19, frikën për infektim dhe mungesën e familjes prej 1 muaj e gjysmë, qëkur Spitali “Shefqet Ndroqi” u bë Spital COVID2.

Adelina Dragoti, kryeinfermiere e Urgjencës thotë se “ne u kemi shërbyer pacientëve pa e menduar për veten time që mund të infektohesha nga kjo sëmundje”.

Lediana Hida, kryeinfermiere në shërbimin e pneunomonisë thotë se “kur shkojmë në shtëpi me stres sepse vajzat e mia kanë nevojë edhe për mua. Ruhem që ato të mos i infektoj”.

“Ishte vërtet shumë e vështirë pasi ishte hera e parë që ndodheshim në këtë situatë”, thote Sofokli Hoxha, infermier i Urgjencës.

Shefi i Shërbimit të Imazherisë, Pëllumb Hysko “kishte disa elementë brenda, kishte pjesën e ankthit, pjesën e stresit, të frikës së infektimit me COVID-19 por mbi të gjitha për ne ishte edhe diagnoza sepse ishte hera e parë që ndesheshim me këtë patologji”.

Irma Tashi, mjeke pneumologe thotë se nuk ka kontakt me familjen. “Një muaj e gjysmë qëkur ne u shpallëm COVID 2 nuk kam vajtur, flasim nëpërmjet whatsup por pjesa e kontaktit është një muaj e gjysmë”, u shpreh ajo.

Këto janë një pjesë e rrëfimeve të mjekëve dhe infermierëve që iu shërbejnë çdo ditë me përkushtim pacientëve të infektuar me COVID-19 në Spitalin “Shefqet Ndroqit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com