Loading...

“Faza e parë e pandemisë u kalua me sukses”/ Hapja graduale e ekonomisë ndihmë për kapërcimin e fazës së dytë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi sot se “shëndeti i ekonomisë shqiptare është i bazuar mbi shëndetin e shoqërisë. Fazën e parë Shqipëria e ka kaluar shumë mirë bazuar në shifrat dhe të dhënat që kemi krahasuar me vende dhe shumë të stabilizuara ekonomikisht apo me shëndetësi më të fortë sesa vendi ynë”.

Në një intervistë televizive i pyetur për vlerësimin e BERZH për performancën ekonomike të Shqipërisë në vitin 2020, Bushati tha se “në radhë të parë qeveria, mazhoranca ka për detyrë të kalojë fazën e parë apo betejën e parë më këtë pandemi botërore që është ruajtja e shëndetit të qytetarëve, sepse patjetër është e lidhur ngushtë me shëndetin e ekonomisë”.

“Nëse nuk kemi një shoqëri të shëndetshme dhe nuk funksionon që në funksionet e saj bazike nuk mund të mendojmë për ekonominë. Në katër muaj Shqipëria mbajti mbi supe dy tragjedi të mëdha, që nuk i ka patur në mijëra vite, si tërmeti shkatërrimtar dhe një pandemi që herën e fundit ka qenë mijëra vite më parë, që të bllokojë ekonominë. Ne nuk mund të ishim një ishull i qetë në këtë trazirë të madhe. BERZH-i ka një parashikim tjetër. Unë dua të jem më optimist, sepse Shqipëria është prekur pak dhe hapja do ta ndihmojë më tepër”, tha ai.

Deputeti Bushati theksoi se “kjo pandemi do të ketë tri faza: faza e parë, përplasja dhe lufta e parë ndaj kësaj pandemie; faza e dytë, hapja e ekonomisë dhe faza e tretë, që do të ketë një kurë ose një vaksinë, por kjo do të dojë një kohë pak më të gjatë se ajo që do të dëshironim ne”.

“Besimi që ka fituar dhe e ka përdorur mirë qeveria shqiptare, sepse masat u ndoqën shumë mirë nga qytetarët, fakti që ne sot kemi vdekshmërinë më të ulët në Europë tregon besueshmëri”, – tha Bushati./atsh