Loading...

Distancim fizik dhe higjienë, mjeku Lilaj: Vetëm kështu do të mund t’i rikthehemi normalitetit

Distancimi fizik dhe higjiena janë dy elementët kryesorë për t’iu rikthyer normalitetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një videomesazh të prof. ass. Krenar Lilaj, i cili bën thirrje për distancim fizik dhe higjienë.

“Doktor Krenar Lilaj, në vijën e parë të përballjes me COVID-19, ka kryer një punë të lavdërueshme për koordinimin e shërbimit të anestezi-reanimacionit në dy spitalet COVID. Sot mjeku i njohur ka një mesazh për të gjithë qytetarët: Të tregohemi të kujdesshëm, të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe sidomos të higjienës, sepse vetëm kështu mund t’i rikthehemi normalitetit të plotë”, – theksoi Manastirliu.

“Vetëm pak muaj më parë na u desh të përballeshim, ndoshta me një nga periudhat më të vështira për gjithësecilin. Jeta shoqërore ngriu, ekonomia u paralizua, ndërsa ne mjekët luftonim me një sëmundje të panjohur e cila në botë po merrte shumë jetë njerëzish. Në sajë të ndihmesës së mjekëve dhe stafit mjekësor mjaft pacientë u shëruan. Me keqardhje mund të them se patëm dhe humbje jete”, – tha Lilaj.

“Por na u desh të luftonim me një sëmundje ku në disa raste ishte mjaft e vështirë për t’u trajtuar. Falë punës dhe sakrificës, mbështetjes së qeverisë dhe qytetarisë, duket sikur e keqja po kalon. Dalëngadalë po i kthehemi normalitetit dhe njerëzit po i kthehen punës për të dhënë kontributin e tyre në shoqëri. Ende duhet të tregohemi të kujdesshëm që vështirësitë e kësaj pandemie të mos na përsëriten më, ajo po mundet, por ende nuk është asgjësuar. Duhet të ruajmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienës. Vetëm kështu do i kthehemi normalitetit të plotë”, – nënvizoi Lilaj në videomesazhin e tij. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com