Loading...

Coronavirusi në Shqipëri/ Shkalla e shërimit rritet në 98%

Prej dy javësh, në vendin tonë shkalla e shërimit nga koronavirusi është rritur në 98%, një rritje drastike krahasuar me 60% e pikut në muajin mars.

Aktualisht, numri i personave të shtruar në spitale është 34, nga të cilët 29 në Spitalin Infektiv dhe 5 në Sanatoriumin “Shefqet Ndroqi”, edhe kjo një rënie e ndjeshme krahasuar me pikun prej 80 të shtruarve.

Nga personat e shtruar në spital, vetëm 7 ndodhen aktualisht në reanimacion.

Rritja e përqindjes së personave të shëruar është ndihmuar edhe nga një kapje më e shpejtë në kohë, si rrjedhojë e testimeve më të hershme dhe nga futja në përdorim e disa medikamenteve të reja, si antimalarikët.

Të dhënat në faqen zyrtare “coronavirus.al” zyrtare tregojnë se në total, në Shqipëri janë 803 raste të identifikuar si të prekur me “Coronavirus”, në një total prej 9 006 testimesh. Nga totali, 543 janë shëruar (68%), 31 kanë humbur jetën dhe 229 mbeten raste aktive.

Lajmi tjetër i mirë është që prej 23 ditësh numri i të shëruarve është mesatarisht 2.4 herë më i lartë se i të prekurve të rinj.

Rënia graduale, por e qëndrueshme e rasteve me koronavirus është arsyeja kryesore përse vendi ka kaluar në një fazë të re të përballimit të epidemisë, me një lirim gradual të masave përgjatë të gjithë majit.

Gjatë javës së kaluar, përqindja e pozitivitetit arriti në 4.3 %, vlera më e ulët nga fillimi i epidemisë.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com