Loading...

Cakaj: Fillimi i negociatave, kurorëzim i reformave madhore në pesë prioritetet kyçe

“Fillimi i negociatave është kurorëzim i reformave madhore, që ka bërë Shqipëria në pesë prioritetet kyçe”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Cakaj raportoi sot në Komisionin parlamentar për Integrimin Europian ku u shqyrtua raporti i Këshillit të Ministrave “Për ecurinë e procesit të integrimit për vitin 2019”.

“Sapo mbylla raportimin pranë Komisionit për Integrimin Europian, lidhur me të gjithë punën madhore që kemi bërë deri më sot dhe detyrat që na presin në të ardhmen, për të përparuar drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Cakaj.

“Pavarësisht pandemisë COVID-19, puna e Shqipërisë për ngritjen e grupit negociator, përgatitjet teknike për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që janë përcaktuar nga përfundimet e Këshillit, ka vazhduar pandërprerë”, tha Cakaj.

“Fillimi i negociatave është kurorëzim i reformave madhore, që ka bërë Shqipëria në pesë prioritetet kyçe por, natyrisht, edhe hapje e detyrave të reja që kërkojnë punën e pakursyer të gjithsecilit e bashkëpunimin e të gjithëve”, theksoi Cakaj./atsh