Partia Demokratike është e angazhuar për procesin jetik të integrimit europian.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, shpërndau një postim të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për prioritetet kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor: sundim i ligjit, vlera demokratike, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e Bashkimit Europian kundër COVID-19 dhe për solidaritetin për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë që kanë për vendin zbatimi i prioriteteve kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Gjatë Samitit të EPP në Zagreb rikonfirmova angazhimin e PD për procesin jetik të integrimit europian dhe udhërrëfyesit të qartë prej 15 kushtesh. E ardhmja jonë europiane varet nga zbatimi i këtyre kushteve”, u shpreh kreu i opozitës.
Në njoftimin e PD thuhet se, qëllimi kryesor i PD dhe i opozitës në Shqipëri janë zgjedhjet e lira e të ndershme, të pandikuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar me mbështetjen e qeverisë aktuale./atsh