Loading...

Aplikimi online për pasaportë dhe kartë ID/ Hapat që duhet të ndjekin qytetarët

Pajisja me pasaportë biometrike tashmë bëhet online nëpërmjet e-Albania. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda shpjegoi hapat që duhen kryer për një aplikim të suksesshëm.

Qytetari pasi hyn te e-Albania klikon fillimisht në opcionin “Aplikim i formularit për lëshim ose rinovim pasaporte” dhe vijon procedurat. Ai duhet të zgjedhë, nëse do të aplikojë për vete, apo për fëmijë nën moshën 16 vjeç.

Pas këtij hapi, ai plotëson çdo kuti me të dhënat personale, si emër, mbiemër, atësi, vendlindje dhe vendbanimin përkatës, Bashki, fshat apo njësi administrative ku jetojnë.

“Së pari aplikohet tek një formular, që është formulari i Policisë së Shtetit. Qytetari hedh të gjitha të dhënat personale. Brenda 7 ditësh qytetarit i vjen një përgjigje, konfirmim për formularin e Policisë së Shtetit. Me ardhjen e këtij njoftimi, me e-mail apo me SMS nuk duhet të printojnë asgjë, sepse kemi pasur edhe keqkuptime nga qytetarët, por duhet të aplikojë në hapin 2, që është linku ku rezervohet aplikimi te zyra e aplikimit. Duhet të kenë kartën e vjetër të identitetit dhe kuponin e blerë në zyrat postare”, u shpreh Voda.

Ndërsa për aplikimin për një kartë ID në portalin e-Albania paraqitet një dritare ku aplikanti, pasi shkruan të dhënat personale, lë ditën dhe orarin kur do të paraqitet në zyrat e ALEAT, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata në radhë dhe grumbullime para këtyre zyrave.

Në ditën e caktuar aplikanti shkon aty për të vendosur shenjat e gishtave, së bashku me kuponin e blerë në postë dhe për të ofruar foton digjitale për këtë dokument.

Kjo metodë e aplikimit online do të funksionojë edhe pas pandemisë, duke reduktuar radhën e gjatë në komisariate apo zyrat e aplikimit.

Momentalisht shërbimi online nëpërmjet e-Albania funksionon vetëm për qytetarët që jetojnë brenda territorit shqiptar. Me hapjen e kufijve kjo metodë do të jetë funksionale edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com