Marrja e dokumenteve të pronësisë online do ndryshojë jetën industrisë së ndërtimit dhe qytetarëve, duke shkurtuar kohë në realizimin e procedurave.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj tha se “’e-Albania’ gjatë këtyre dy muajve të pandemisë ka larguar çdo hije skepticizmi, duke qenë pranë qytetarëve që u është dashur shërbim online”.
“Siç e thamë janë automatizuar shërbimet e kadastrës dhe ka 0 kontakt me punonjësit e Kadastrës e për rrjedhojë 0 korrupsion. Risi tani është fakti se çdo hije skepticizmi është shuar gjatë dy muajve të pandemisë, pasi kanë qenë të mbyllura shërbimet e Kadastrës dhe të ADISË-s. Ishin 40 000 qytetarë, që kanë marrë shërbime online dy muajt e fundit. Shifrat thonë se shërbimi më i kërkuar ka qenë kopja e kartelës së pasurisë, që është 70% i shërbimeve vjetore që Kadastra jep. Si merret ky shërbim? Merret lehtësisht. Klik në portal, pagesë minimaliste që realizohet dhe vjen me vulë elektronike, nëse është në bashkësinë e pasurive të digjitalizuara, përndryshe brenda afatit 7-21 ditë”, – tha Karçanaj.
“Vula elektronike rrit sigurinë e dokumentit që merr. Pasi nëse skanon barkodin, në ekran shfaqet kopja e vërtetë e dokumentit. Kjo do sjell lehtësi të jetës së qytetarëve dhe industrisë së ndërtimit, pasi do shkurtohet koha e të gjithë institucioneve vendore e qendrore, do ndryshojë sjellja e noterëve dhe tregu imobiliar, pasi do jenë shumë më të shpejtë në transaksionet e tyre të përditshme”, – theksoi Karçanaj. /atsh