Loading...

34 pacientë në dy spitalet COVID, 7 prej tyre janë në terapi intensive

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur në përditësimin e të dhënave të situatës së koronavirusit, se pjesa më e madhe e të prekurve nga COVID-19 po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme.

Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

“Siç jeni ne dijeni, nga sot, ka nisur një lehtësim i mëtejshëm i masave shtrënguese, me shtimin e zonave të gjelbra, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetas me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë. Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë”, tha Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë ka ftuar qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.

“Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon: Tiranë 93, Krujë 87, Shkodër 17, Kurbin 14, Kukës 5, Elbasan 4, Mirditë 2, Berat 2, Durrës 1, Korçë 1, Lezhë 1, Lushnjë 1, Mat 1./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com