Loading...

“Zonat e gjelbra”, Manastirliu: Ngremë frenat e Emergjencës nëse nuk respektohen masat e sigurisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar se mosrespektimi i masave të sigurisë në “Zonat e gjelbra” do të sjellë sërish rikthimin e kufizimit, ashtu si në “Zonat e kuqe”.

Ministrja Manastirliu, duke komunikuar me kryebashkiakët e zonave të gjelbra, ka nënvizuar se procesi i lehtësimit të masave shoqërohet gjithashtu me monitorim të rreptë dhe me frena të emergjencës të gatshme nëse do jetë e nevojshme.

“I kemi konsideruar ‘Zona të gjelbra’, pasi kemi vlerësuar disa kritere të rëndësishme, sa i takon përhapjes së pandemisë. Komiteti i Sigurisë ka vlerësuar se, transmetimi i infeksionit në këto zona është nën kontroll, duke vlerësuar të gjitha risqet, duke u bazuar te kriteret specifike të qarkullimit të infeksionit. Komiteti në këtë kuadër ka vendosur që të lehtësojë masat në disa zona, duke na dhënë mundësi pilotimi të disa masave dhe lejimin e qytetarëve të lëviznin, të përdorin transportin personal. Të përgatitemi këto dy ditë, që nga e hëna të garantojnë monitorimin e rregullave të reja që do të vendosen. Po krijohen këto lehtësi, që shoqërohen me masa, por kemi gati edhe frenat e emergjencës në çdo rast nëse ndonjë bashki do të ketë thyerje. Do të ketë skuadra monitorimi në çdo bashki, ku risku është në minimumin e tij. Me të gjitha rregullat që do të vendosen ju do të njiheni nesër, për të ndërgjegjësuar popullatën”, – tha Manastirliu.

“Nëse shohim se në ndonjë bashki do thyhet rregulli, do vendosin sërish rikthimin në gjendjen e mëparshme, sipas vlerësimit në territor. Risku i infeksionit është në minimumin e tij në këto zona, por ky risk rritet nëse nuk ruhet distancimi social, apo elemente që bashkëshoqërojnë elemente të tjera të sigurisë nga të gjithë. Nga bashkitë, kërkohet izolimi hapësirave ku mund të grumbullohen qytetarët, siç janë parqet apo ambientet rekreative. Sa më shumë të zbatojmë rregullat me protokolle strikte, me të cilat do të njiheni edhe më tej gjatë ditës së shtunë, aq më inkurajues do jetë rezultati. Në rastet kur do të kemi shpërndarje të infeksionit, do të ngremë frenat e emergjencës dhe do kthehemi në kushtet e mëparshme”, – tha Manastirliu./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com