Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me kryetarët e bashkive të shpallura “Zona të gjelbra”, ku nga 27 prilli do të lehtësohet lëvizja duke respektuar disa rregulla strikte, të cilëve u kërkoi të ndjekin nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël të mbyllur.
Rama tha se vendimi është marrë duke parë modelin e kurbës dhe zhvillimin në dinamikë në territor të epidemisë dhe duke konsideruar riskun e ulët.
Por, sipas tij, “risku i ulët nuk do të thotë që jemi në zona që janë të paprekshme, ashtu sikundër nuk do të thotë që nëse rregullat nuk zbatohen në këto zona, nuk mund të kthehet nga e gjelbër në të kuqe ngjyra e riskut”.
Kryeministri kërkoi nga kryebashkiakët që të marrin disa masa dhe të jenë personalisht në krye të kësaj pune, duke ndjekur nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël të mbyllur.
Rama tha se “do të ketë një fashë të veçantë për pensionistët çdo mëngjes, që do të thotë se deri në orën 08:30 pensionistët do të kenë liri lëvizje për të ecur, marrë ajër, apo për të bërë pazar nëse dëshirojnë dhe në këtë fashë nuk do të ketë këmbësorë të tjerë, përjashto ata që kanë autorizimin për të shkuar në punë”.
“Është shumë delikate çështja e të moshuarve dhe për këtë duhet shumë vëmendje e kujdes nga ana e tyre dhe e juaja që të garantohet që kjo nuk kthehet në problem. Do të ketë një orë pushimi mes të dyjave dhe nga ora 09:30 deri në 17:30 gjithë të tjerët mund të dalin apo të lëvizin me makinë pa pasur nevojë për autorizim, por përsëri me kushtin jo më shumë se dy persona në xhiro, në ecje dhe në asnjë mënyrë makinat të lëvizin jashtë zonës”, tha Rama.
Ai theksoi se makinat mund të lëvizin, për shembull, brenda qarkut Dibër, që është zonë e përcaktuar si “Zonë e gjelbër”, apo brenda qarkut Gjirokastër. Po ashtu, Rama tha se makinat mund të lëvizin edhe në perimetrin Sarandë-Himarë-Konispol-Finiq apo në perimetrin Pogradec-Përrenjas-Librazhd, por nuk mund të hyjnë nga Elbasani në Librazhd apo të dalin që andej për të shkuar në Elbasan.
Për këtë, Rama tha se “kemi bërë një diskutim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që do të vendosë postblloqe që kush kapet në thyerje që ka lëvizur p.sh., nga Tirana në Pogradec, do të penalizohet.
Po ashtu, Rama tha se “është shumë e rëndësishme të mbyllni parqet”. “Policia duhet të ketë në vëmendje bashkë me ushtrinë aty ku janë që të mos lejohet frekuentimi i parqeve publike për piknik apo xhiro familjare që mund të shkojë në infektim komunitar, shkalla më e rrezikshme e infektimit”.
Kryeministri u kërkoi kryebashkiakëve që të monitorojnë situatën personalisht dhe të vendosin njerëzit e tyre në dispozicion për të ndihmuar duke ju kërkuar qytetarëve të respektojnë rregullat.
Rama tha se është shumë e rëndësishme të ruajmë këtë situatë, pasi ne mund të rrimë mbyllur me vite po nuk e u gjet vaksina virusi mund të jetë këtu pas dere.
“Hapja sjell patjetër edhe një rrezik. Nuk është e thënë që gjithë ato zona të mos kenë persona asimptomatikë apo të mos kenë nesër pozitivë. Mund t’i kenë, por nëse qëndrojmë me rregulla numri i pozitivëve nuk del jashtë kontrollit për të na sforcuar sistemin shëndetësor dhe rritet shkalla e imunizimit”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “kjo javë që vjen do të na tregojë shumë dhe do të na ndihmojë edhe ne për të kuptuar sesi ecën dinamika në një hapje më të madhe, ku nuk ka më detyrime dhe të gjithë mund të dalin”. /atsh