Loading...

U plagos aksidentalisht gjatë aksionit të Policisë, Lleshaj viziton në spital qytetaren jashtë rrezikut për jetën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgëzuar punonjësit e Policisë së Shteti të cilët bënë të mundur të neutralizojnë dhe të arrestojnë një person me rekorde kriminale, gjatë vizitës në spital të qytetares e cila mbeti e plagosur gjatë operacionit policor.

Lleshaj shprehet se “një kombinim rrethanash solli, që gjatë një përplasjeje të rrezikshme mes Policisë së Shtetit dhe një personi me shumë rekorde kriminale, ku u përdorën armët e zjarrit, të arrihej të neutralizohej në gjendje të plagosur dhe të arrestohej një ndër personat më të kërkuar në vend”.

Lleshaj shtoi se fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit.

“Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ministri Lleshaj.

“Gjithashtu, me respekt takova edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, të cilët sot dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilencë, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë”, shprehet ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com