Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi sot se vendimi për datën që do të jetë e mundur rihapja e ekonomisë amerikane pas izolimit do të jetë më i rëndësishmi i jetës së tij.
“Do të marr një vendim dhe shpresoj që ky do të jetë vendimi më i mirë”, deklaroi ai në konferencën e përditshme për shtyp mbi krizën.
“Ai do të jetë vendimi më i madh i jetës sime”, shtoi ai, duke iu referuar rekomandimeve të qeverisë federale për një lehtësim të mundshëm të masave për distancimin social.
Duke pranuar se vendosja e një date shumë të afërt mund të kishte pasoja katastrofike, ai gjithashtu insistoi në rrezikun që mund të shkaktonte sipas tij një datë më e vonuar.
“Qëndrimi në shtëpi gjithashtu çon gjithashtu në vdekje (…) Ndoshta një formë tjetër e vdekjes”, theksoi ai.
Situata është përmirësuar këtë javë në spitalet e Nju Jorkut dhe në rajonet e tjera amerikane shenjë që pandemia e COVID-19 mund t’i jetë afruar një faze përmirësimi në SHBA./atsh