Loading...

Trajneri i Kombëtares, Reja: Humanizmi i shqiptarëve, shembull për t’u shpërndarë në të gjithë botën

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Edoardo Reja, në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, ka shprehur vlerësimin për ndihmën dhe solidaritetin që Shqipëria ofroi në këto ditë të vështira të pandemisë COVID-19 për vendin e tij, Italinë. Akti simbolik i një vendi të vogël dhe jo të pasur si Shqipëria, e ka prekur edhe atë, si shumë italianë të tjerë, dhe shprehet se është një shembull për t’u shpërndarë në të gjithë botën.

“Corriere Dello Sport”: Italia u “pushtua” nga gjesti dhe solidariteti i Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. Çfarë mendon trajneri Edoardo Reja?

“Ishte një gjest i jashtëzakonshëm, i cili vërtetoi edhe një herë se sa afër ka qenë gjithmonë ky popull me Italinë. Edi Rama u tregua i gatshëm dhe dërgoi mjekët më të mirë shqiptarë në një zonë të prekur si Bergamo, ku unë kam qenë trajner. Ajo ishte një surprizë e mirëpritur për mua, jam krenar që drejtoj Kombëtaren shqiptare. Orët e fundit më kanë ardhur shumë mesazhe nga lojtarë, trajnerë, miq dhe njerëz të zakonshëm, të gjithë janë prekur nga humanizmi i treguar nga Edi Rama dhe populli shqiptar. Mendoj se është një shembull për t’u shpërndarë në të gjithë botën. Një komb më pak i pasur se shumë vende të tjera në Europë ka treguar solidaritet të pashembullt”.

“Corriere Dello Sport”: E prisje një gjë të tillë?

“Unë e njoh mirë Edi Ramën, ka pasur edhe ai rolin e tij për të më bindur që të pranoja propozimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. E kisha takuar në Romë kur drejtoja ‘Lazion’ dhe pas një ndeshjeje me ‘Juventusin’, me të cilin Rama është tifoz, ai erdhi më takoi me Igli Taren. Organizuam një darkë në hotelin tim afër Ponte Milvio, ku ishte edhe Lotito i pranishëm. Edi Ramës ia njoh aftësinë bindëse. Vitin e kaluar më telefonoi për të më thënë: ‘Çfarë bën në shtëpi? Pse nuk vjen të stërvitësh kombëtaren e Shqipërisë?’ Sot ndihem edhe më i lumtur dhe krenar që e pranova ftesën”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com