Edhe pse të mbyllur në shtëpi, të gjithë dashamirësit e natyrës si fotografë, gjuetarë, punonjës organizatash, ekspertë por dhe publiku i zakonshëm, përsëri kanë mundësi të mbledhim të dhëna mbi jetën e egër dhe shpendët në veçanti.
Shoqata e e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) shprehet se “nëpërmjet aplikacionit SmartBirds në sektorin “Urban Birds” mund të regjistrojmë të gjithë shpendët që ne arrijmë të dëgjojmë apo shikojmë nga shtëpitë tona”.
“Të dhënat e marra do të ngarkohen në një hartë, e cila do të shfaqet çdo javë në faqen e PPNEA, e cila do të na ndihmojë të gjithëve për t’u njohur më shume me shpendët e qytetit dhe ato që po tentojnë të afrohen së fundi”, shprehet shoqata.
PPNEA po punon mbi përkthimin e SmartBirdsPro, aplikacion është krijuar nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB) dhe tashmë është drejt përfundimit dhe në gjuhën shqipe.
I gjithë sistemi i mbledhjes së informacionit biologjik është përshtatur me llojet e shpendëve, gjitarëve, zvarranikëve, invertebrorëve dhe bimëve të pranishme në vendin tonë.
Aplikacioni lejon gjithashtu mbledhjen e të dhënave për kërcënimet e ndryshme ndaj biodiversitetit, siç janë shqetësimi i llojeve të rrezikuara dhe foleve të tyre, zjarret apo dhe përdorimi i karremave të helmatisur, rreziku nga elektroshoku dhe përplasjet me linjat e energjisë etj.
Përshtatja e aplikacionit në gjuhën shqipe po realizohet në kuadër të projektit të mbështetur nga CEPF, “Toka e kështjellave dhe shqiponjave – Faza II” dhe projektit LIFE “Egyptian Vulture New LIFE”. /atsh