Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se ndërkohë që Shqipëria është në luftë me COVID-19, Lulzim Basha harxhon 60 mijë dollarë për lobing.
Balla tha se Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj ka regjistruar më 20 Mars 2020, një kontratë të re lobingu në SHBA të Partisë Demokratike me një kompani që ndër klientët e vet regjistron edhe zyrtarë të lartë të regjimit të Maduros në Venezuelë.
“O Zot, si ka mundësi, kur të gjithë shqiptarët janë bërë bashkë në këtë Luftë me COVID-19, ku nevoja për solidaritet social e mbështetje për njerëzit në nevojë është aq e domosdoshme nga të gjithë, ky që merr guximin të japë edhe mend e plane, paguan shuma kaq të mëdha parash për të nxirë Shqipërinë në media amerikane, apo në zyrat e Kongresit amerikan”, tha Balla.
Ai tha se “do të ishte shumë me vlerë që Lulzim Basha të ndihmonte disa qindra familje shqiptare me ndihma ushqimore me këto para”.
“Po si mund të dalësh për ditë në TV, e të drejtosh gishtin se nuk po ndihmohen familjet në nevojë, se nuk po financohen spitalet, nuk po paguhen infermieret, punonjësit e policisë, nuk po i jepet ndihmë financiare biznesit, kur vetë bën rrush e kumbulla paratë që partia jote merr nga buxheti i shtetit. Mos prisni as sqarim, e as ndjesë publike nga ky e nga këta”, tha Balla, ndërsa publikoi edhe dy dokumentet përkatëse./atsh