Një tjetër shembull përkujdesje në kushtet e pandemisë së COVID-19 vjen nga Shtëpia e Foshnjeve në Tiranë, stafi i së cilës qëndron 24 orë i izoluar pranë fëmijëve pa kujdes prindëror duke i mbrojtur me përkujdesje dhe dashuri.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati solli sot rastin e Orjeta Hasanaj, prej një vitit drejtoreshë e Shtëpisë së Foshnjeve në Tiranë.
“E ka nisur punën si punonjëse sociale. Orjeta e Njësisë 1 kujdeset çdo ditë nëpërmjet komunikimit dhe masave që ka marr për fëmijët. Bashkë me të palodhurat: Afërdita Doçi, Miranda Nika, Valbona Nuri, Drita Sadria, Amanda Lleshi, Irma Karameti, Xhevahire Memia, Lorena Dragoi”, tha ai.
“Këto ditë kanë qenë të vështira për të gjithë, por në situata të tilla ndërthurja e punës së vështirë me emocione të bukura humori na ka ndihmuar të ecim para dhe këtë unë e përcjell çdo ditë dhe tek stafi im. Sfida jonë e përbashkët në këto ditë të vështira është të jemi çdo ditë pranë familjes sonë të madhe dhe engjëjve të vegjël të Shtëpisë së Foshnjës”, shprehet Orjeta.
Ajo thotë se “24 orë ne jemi pranë tyre me shpirt e me zemër pasi ne jemi familja më e madhe në botë”.
“Jemi izoluar dhe jemi zotuar që të jemi në çdo moment pranë fëmijëve pa kujdes prindëror dhe do t’i mbrojmë me përkujdesjen dhe dashurinë tonë. Unë rri në Shtëpinë e madhe të Foshnjeve! Ne do vijojmë të qëndrojmë dhe do të përkujdesemi për ta. Të lutem bëje dhe ti! Familja jote mund të jetë më e vogël dhe ti mund t’ia dalësh! Bashkë do ja dalim”, tha ajo./atsh