Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “brenda 24 orëve ne do të kemi edhe një ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë dhe sot gjenden pa mbështetje, sepse nuk figurojnë askund”.
Rama tha se “ne do t’ju japim një shpërblim financiar dhe do të marrim përsipër të ndjekim punën e tyre duke kërkuar nga pronarët e kompanive të jenë në mbështetje të kësaj nisme përndryshe duhet të përballen me ligjin”.
Por, sipas tij, vetë punonjësit duhet të kenë kurajon të denoncojnë.
“Kjo është koha për të ndihmuar sa më shumë. Ne do t’i kërkojmë pronarëve të ndihmojnë ata që u kanë borxh. Por vetë punonjësit duhet ta denoncojnë punën në të zezë. Kuptojeni vetë, asnjë shtet nuk e bën dot se është e pabëshme të ndash atë që vjen dhe thotë të vërtetën dhe atë që vjen e gënjen. Dhe na del sikur të gjithë janë rropatur në të zezë ndërkohë që kanë jetuar me paratë e prindërve, duke dhënë mend në Facebook”, tha Rama.
Rama tha se “punën në të zezë ne e kemi luftuar me të gjitha forcat dhe kemi nxjerrë nga ajo skllavëri një numër të madh që janë regjistruar, por asnjë vend i planetit, askush nuk ka në asnjë paketë për ata që punojnë në të zezë”.
“Kjo për një arsye shumë të thjesht. Si identifikohet kush punon vërtetë në të zezë? Është e pamundur ndaj informaliteti është një plagë që duhet luftuar përditë dhe ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon të denoncojnë”, tha Rama.
Ai theksoi se “ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë: ‘unë kam punuar në të zezë në filan kompani se nuk më ka regjistruar pronari’”.
“Por si ta zgjidhim ne, kur ti edhe pse je në hall të madh nuk ke kurajon të luftosh për veten tënde? Pronarët kanë sanksione shumë të forta nëse mbajnë dikë në të zezë. Nëse nuk ka nga brenda një zë, atëherë kjo nuk zgjidhet, edhe pse në shumë raste ne kemi arritur të bëjmë spostime nga e zeza, falë përpjekjeve të mëdha që kemi bërë dhe presionit të madh që kemi ushtruar ndaj kompanive”, tha Rama./atsh