Pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë lidhur me rikthimin në bankat e shkollave vetëm të maturantëve, përsëritja e temave do të kryhet në klasa me jo më shumë se 15 nxënës.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një nga mediet e vendit sqaroi edhe mënyrën sesi do të zhvillohen provimet e maturës, në kushtet e një situate jo normale.
Do të jenë 3 javë që do t’i dedikohen përsëritjeve që kanë lidhje me Maturën Shtetërore. Pra, nuk do të marrin tema të reja, tha ajo, ndërsa shtoi lidhur me testin e maturës se ky i fundit do të jetë i thjeshtëzuar. “Testi do të jetë më i thjeshtuar. 80% e testit është në nivelin e parë dhe të dytë dhe vetëm 20% e testit është në nivelin më të lartë. Kjo pikë nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë ta kemi në 25% nivelin e kalueshmërisë”, – tha Vrapi.
Sipas saj, mënyra sesi do të zhvillohet testi i Maturës Shtetërore do të ndryshojë nga vitet e tjera, në kushtet e një pandemie.
“Në kushtet e një pandemie që ende nuk është e përfunduar, Ministria po merr të gjitha masat për të ruajtur jetën e maturantëve, sepse kjo është kryesorja. Në Maturën Shtetërore është e fiksuar distanca 1,5 metra, nuk do të jetë e populluar palestra, siç ka qenë më përpara. Është i detyrueshëm dezinfektimi i ambienteve. Kemi grupe për këtë pjesë dhe do të monitorojnë zbatimin rigoroz të kushteve të higjienës, që nga uji i rrjedhshëm në mjediset e tualeteve, dezinfektantët të cilët do të jenë edhe në tualete, edhe në mjediset e provimit dhe patjetër elementët e tjerë që kanë të bëjnë me maskat që do të mbajnë maturantët. Të gjithë mësuesit do të kenë maska që do të zhvillojnë orët e mësimit, orët e përsëritjes. Klasat nuk do të jenë më shumë se 10 deri në 15 nxënës, pra nuk do të jetë një klasë normale”, sqaroi Vrapi. /atsh