“Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama solli sot shembullin konkret të Singaporit që tregon se pse riatdhesimi në këtë fazë duhet të jetë absolutisht i kontrolluar.
“Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin më të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve iu kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet”, tha Rama.
Në këtë drejtim, ai tha se Shqipëria do të rihapë rrugën e riatdhesimeve, por nuk do të tërhiqet nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel.
“Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të të bëjnë edhe një çikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit”, tha Rama.
Kryeministri siguroi që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë.
“Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet”, tha Rama./atsh