Kryeministri Edi Rama i dha sot përgjigje të gjitha akuzave të bëra deri më tani nga opozita për menaxhimin e situatës së COVID-19
Përmes një videomontazhi, Rama komentoi akuzat e opozitës duke i vendosur përballë fakte dhe dokumente reale që vërtetojnë të kundërtën e akuzave.
Ai iu përgjigj të gjitha akuzave duke filluar që nga tenderat sekretë, tenderat për veshjen e mjekëve, blerjen e kiteve etj.
“Mirëmëngjes nga unë, Luli dhe shokët e tij”, shkruan Rama, ndërsa ndan videon që i përgjigjet akuzave të opozitës.
Rama tha se “nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete. Procedurat e tenderimit të përdorura për COVID-19 janë procedura të miratuara ligjore, për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit. Po të ishin sekrete, nuk do ishin publike”.
Lidhur me akuzën e PD-së se maskat mbrojtëse FFP2 qeveria i ka blerë me një shifër prej 6.5 euro, Rama tha se “maskat mbrojtëse FFP2 janë blerë me 4.14 euro”.
Sa i takon akuzës tjetër të PD-së se veshjet u blenë 28 euro një copë ose me trefishin e çmimit, Kryeministri u shpreh se: “qeveria bleu veshje mbrojtëse që quhen Tyvek, me një çmim 14.6 euro për të mbrojtur mjekët dhe infermierët në të gjithë Shqipërinë”.
Një tjetër akuzë e opozitës është se maskat me të cilat qeveria ka pajisur mjekët e infermierët në spitalin Infektiv kanë skaduar që në 2014.
Rama tha se “data e skadencës së maskave është 31/03/2023″, ndërsa paraqiti edhe dokumentin përkatës”.
Akuza tjetër e artikuluar nga opozita është se mbrojtëset për sytë njëpërdorimshme, çmimi i blerjes nga qeveria është 6 euro, më shumë se sa dyfishi.
Rama tha se “qeveria bleu mbrojtëse për sytë me çmim 4.4 euro/ copa”.
Opozita akuzon po ashtu se qeveria ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4-fishin e tregut, 21 mijë lekë të vjetra.
“Referenca doganore për kitin TR-PCR COVID-19, i përbërë nga një sërë kitesh për ekstraktim automatik kalibrues diagnostikues është 6.100 lekë/kiti, jo 21 mijë lekë”, tha Rama.
Akuzës së kreut të PD-së se stafi mjekësor nuk ka pajisjet minimale, Rama zgjodhi t’i përgjigjej me pamje reale nga ambientet spitalore.
Lidhur me pyetjen e PD-së nëse kompania e kontraktuar për shpërndarjen e ushqimeve nga qeveria ka eksperiencë të nevojshme në fushën e tregtimit të ushqimeve, Rama u shpreh se: “Kompania fituese për shpërndarjen e ushqimeve për familjet në nevojë është pjesë e një grupi të madh të mirënjohur biznesi të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që operon prej vitesh në fushën e tregtisë së ushqimeve. Kontrata u lidh jo me 1.5 milionë euro, por për vetëm 830 000 euro”.
Po ashtu, Kryeministri iu përgjigje edhe akuzës së Bashës se nuk është marrë asnjë masë që qytetarët të mbështeten financiarisht, duke sjellë në vëmendje dy paketat financiare të miratuara nga qeveria.
“Paketa e parë: Përfituan dyfishin e ndihmës ekonomike për tre muaj 63.510 familje. Përfituan pagë lufte sa paga minimale për 3 muaj 53.842 punonjës në biznesin e vogël. Pagesat vazhdojnë”, tha Rama.
Ndërsa nga paketa e zgjeruar, ai tha se përfitojnë një pagë 40 mijë lekë 176 mijë punonjës, 100 mijë në biznesin e vogël, 66 mijë në biznesin e madh, 10 mijë në sektorin e turizmit. Janë paguar 49 129 punonjës. Pagesat vazhdojnë./atsh