Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, në një nga mediet e vendit deklaroi se lajmi që ka qarkulluar në disa medie lidhur me testimin e vaksinave të COVID-19 në vendin tonë, është i pavërtetë.
Rakacolli hodhi poshtë këto aludime, duke theksuar se nuk ekziston një studim i tillë.
“Më vjen shumë keq, kur e kam parë të shpërndarë në portale më ka ardhur keq, është e pavërtetë dhe këtë e them me përgjegjësi. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë studimi për vaksinën ndaj COVID-19. Nëpërmjet televizionit tuaj dua të theksoj se jo vetëm që nuk ka një studim për vaksinën, po as që është diskutuar një gjë e tillë”, tha Rakacolli.
Duke folur për situatën aktuale të epidemisë në Shqipëri, Rakacolli u shpreh se në vend është rasti i një epidemie të kontrolluar.
“Është rasti tipik i një epidemie të kontrolluar. Statistikat interpretohen në bazë të disa të dhënave në interval kohor. Epidemia është kontrolluar. Piku nuk vlerësohet kurrë nga piku ditor. Analiza e kurbës, me ato intervalet, tregon se ajo ka qenë e qëndrueshme. Të shtruarit në spital janë ata që tregojnë sa e rëndë është situata. Mosshtimi i tyre tregon se epidemia ka rënie”, tha Rakacolli./atsh