Mjeku i njohur pranë Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero e cilësoi sot lajm optimist rënien drastike të numrave të personave të infektuar me COVID-19 në vendin tonë, por sipas tij është ende herët që të nisë festa.
Në një intervistë televizive Pipero u shpreh se “e kemi pritur si lajm optimist, por është shpejt për t’u gëzuar. Unë kam menduar se kjo javë do të ketë ulje të numrave, por jo shumë të madhe. Do jetë si të thuash si një sheshpushim. Kjo është një ecuri logjike e kurbave e epidemive në përgjithësi. Natyrisht, numrat do të kenë luhatje, një ditë më poshtë dhe një ditë më lart, por do të jetë gjithnjë poshtë asaj që ne e kemi quajtur pikun e numrave. Unë besoj që pikun kurba tek ne e ka arritur javën e kaluar. Gjithsesi është një lajm i mirë, sepse ishin rreth 180 mostra dhe kanë qenë vetëm 6 pozitive. Pra, do të thotë së është zgjeruar numri i kontakteve dhe përqindja e pozitivitetit ka rënë. Kjo është logjika e kësaj shifre”.
Lidhur me gjendjen e të shtruarve Pipero tha se “gjendja e të shtruarve është stabël. Natyrisht kemi raste në shërim e sipër dhe besoj se edhe sot do të ketë pacientë të tjerë që do të lënë spitalin. Kur them të shëruar, themi në një farë mënyrë të çliruar nga simptoma dhe nga sëmundja, por edhe nga kovidi, pasi personat janë negativë në fund të procesit, por ata duhet që të jenë edhe 2 javë në shtëpi dhe të kujdesen për veten. Ndërkohë, kemi pacientë të tjerë që vazhdojnë të luftojnë me sëmundjen duke u paraqitur nga forma nga mesatare, të lehta, të rëndë apo dy apo tri raste mjaft të rënda”.
Sipas tij, në vazhdim do të këtë raste të reja, por shtoi se ato do të jenë në një segment më të kufizuar në krahasim me javën e kaluar, kur numri i të prekurve kaloi mbi 20 persona”.
Pipero tha se Shqipëria ka kaluar gjysmën e parë të kësaj pandemie.
“Besoj se kemi kaluar gjysmën e parë të kësaj kurbe të epidemisë, që ishte më e vështirë, gjysma tjetër do të jetë më e gjatë, por do të ketë më pak numra. Çka do të thotë jo të festojmë dhe të gëzojmë, sepse është herët, por duhet të respektojmë rregullat e qeverisë dhe këshillat tona”, – tha Pipero.
Ai u shpreh se “duhet të përgatitemi, sidomos pensionistët dhe të sëmurët kronikë, që të qëndrojnë më gjatë në shtëpi dhe të gjithë të tjerët duhet të respektojnë rregullat”./atsh