Loading...

Pipero: Meraku për kolegët dhe pacientët më shoqëron çdo ditë

Mjeku i njohur pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero në një intervistë dhënë për një nga mediet, thotë se prej situatës së krijuar nga COVID-19, meraku për kolegët dhe pacientët e shoqëron në çdo ditë.

Në një intervistë, mjeku infeksionist u shpreh se “jeta është e çuditshme, shkojmë me merakun si do i gjejmë të sëmurët, si janë kolegët, a mos po mungon ndonjëri. Bëjmë mbledhjen, ndahen detyrat dhe pastaj organizimi i vogël i përditshëm i punëve, pavijon, vizitë e të sëmurëve, vlerësim i gjendjes së tyre shëndetësore, shumica janë të moshuar, të gjithëve iu mungojnë të afërmit, një pjesë me gjendje kritike për jetën. Marrim shpesh vendime shumë të vështira, por të nevojshme. Kthehemi sërish e diskutojmë, e nuk mungojnë edhe batutat ndonjëherë dhe të qeshurat që shpesh priten edhe në mes. Apo jemi bërë shumë më të afërt me njëri-tjetrin”.

Pasi përfundon punën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku tregon se bën një orë e gjysmë vrap çdo ditë në pyll e më pas lexon artikujt të ndryshëm për COVID-19.

“Dal nga puna, kthehem në shtëpi, bëj një orë e gjysmë vrap çdo ditë në pyll, pastaj lexim i çdo artikulli që më vjen për COVID-19. Sa më shumë lexoj, aq më pak di më duket, disa komunikime në media për situatën klinike dhe epidemiologjike, konsiderata dhe opinione për ecurinë e epidemisë, në studio apo Skype, Skyp-i na shpëtoi, qindra e qindra mesazhe nga qytetarët të cilëve mundohem t’ju përgjigjem të gjithëve. Prapë lexim dhe komunikim me kolegët. Gjumë shumë pak”, tregoi ai.

Pipero thotë se familja e tij janë në merak tërë kohën për të. “Përgjithësisht në ankth, si do shkojë dita sot, a mos je infektuar, kemi merakun tënd, mos na e sjell virusin në shtëpi etj., etj. Pra gjithçka rreth virusit. I kemi harruar gjithë të tjerat”, u shpreh ai.

Mjeku i dashur për publikun thotë se një gabim i vogël në këtë situatë, të kushton shumë shtrenjtë. “Mjaft e vështirë të jesh i sigurt se nuk do të infektohesh, jemi shumë të ekspozuar. Mund të bëjmë gabime, qoftë edhe një gabim i vogël kushton shumë shtrenjtë”, u shpreh ai.

Pipero thotë se e gjithë kjo eksperiencë nuk do t’i hiqet nga mendja. “Nuk e di saktësisht se çfarë, di t’ju them se është një eksperiencë e pashoq dhe një solidaritet i pashoq, që nuk do më shqitet nga mendja kurrë! Mendoj se çdo kohë apo situatë evidenton ca vlera, njerëz, specialistë, politikanë etj. Ndoshta çdo kohë ka dhe heronjtë e saj, që për mua këtë radhë janë mjekët dhe infermierët”, tha Pipero./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com