Loading...

Pas hapjes do të ketë një normalitet të ri, me rregulla për të mos u kthyer te pika zero

Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme në një komunikim me publikun, se “kemi hyrë në një kthesë graduale dhe duhet të bëjmë të gjithë edhe pak durim, duke mos harruar për asnjë çast se çdo rritje shpejtësie mund të na kushtojë shumë”.

Rama u shpreh se “ashtu sikundër e tha Kancelari i Austrisë “duhet dhe të jemi të vetëdijshëm se ekziston pas çdo hapi mundësia që të tërheqim frenat e emergjencës dhe të kthehemi mbrapsht, nëse numri i të infektuarve do rritet jashtë parashikimit të normales””.

“Ne kemi, siç kishim në fillim në fazën e parë modelin tonë të parashikimit të numrave dhe ai model do na udhëheqë edhe në vendimmarrjet tona të cilat do i vazhdojmë në mënyrë dinamike. Prandaj mos u qani pse ndryshojnë shpesh rregullat dhe vendimet, sepse janë të pashmangshme kudo. Një përballje mes nesh dhe të ardhmes nuk është se duam ne për të ecur shpejt, por ka dhe një forcë të padukshme që kërkon të na dëmtojë shëndetin, të na kthejë mbrapsht, të na marrë njerëz të dashur me vete, largqoftë”, tha ai.

Po ashtu, Rama shtoi se “nëse nuk do të kishim marrë masat që morëm, nëse nuk do të kishim rezistuar dhe duruar siç kemi bërë deri këtu të gjithë së bashku, nëse do ta kishim ulur kurbën epidemisë, nën parashikimin tonë më optimist, pikërisht falë kësaj lufte që po bëjmë bashkërisht, nuk do mërziteshit për rregullat, por do qanim për shumë të vdekur dhe shumë të plagosur në shtretërit e spitaleve tona, që nuk do ta kishin mbajtur dot valën”.

Rama theksoi se po mos të kishim marrë masa e duhura do kishim 15 mijë të infektuar.

“Po ta marrim modelin statistikor italian dhe ta adoptojmë, këtu do të kishim 15 mijë të prekur dhe do duhet të kishim trajtuar për pesë javë 855 vetë në terapi. E pamundur dhe do na kishte sjellë 1995 të vdekur. E di që njeriu nuk ngushëllohet shumë me atë që nuk ndodh, por në këto kushte kaq të jashtëzakonshme duhet të mos e harrojmë sesi mund të na kishte ndodhur edhe për një arsye tjetër, për të mos gabuar duke kujtuar se e keqja iku, kjo punë mbaroi. Nëse nuk vazhdojmë të bëjmë detyrën siç e kemi bërë deri më tani, mund të ndodhë shumë më keq se ka ndodhur. Ky është fakt dhe duke kërkuar të normalizohemi dhe duke shkuar drejt normalizimit dhe normalitetit të ri, duhet ta ndajmë mirë mendjen që, për kushedi sa kohë, askush nuk e di tamam normaliteti i ri nuk do jetë normaliteti që kishim përpara sesa të hynim në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme. Akoma më e rëndësishme për ta mbrojtur normalitetin e ri, do të duhet të kemi një sjellje të re ku secili në raport me sigurinë dhe do të duhet që t’i imponojmë njeri-tjetrit të gjithë ato kushte, të gjitha ato rregulla dhe gjithë atë rigorozitet që kërkon mbrojtja e normalitetit të ri për të mos u kthyer aty nga ku ne dolëm, deri tani me kaq sukses”, theksoi Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com