Loading...

Pandemia/ E-group: Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve

E-group-i që funksionon pranë Akademisë së Shkencave pasqyron situatën e gjendja e pandemisë në Europë dhe në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ku thekson se Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve, forcon vazhdimin e sheshimit të kurbës dhe fillimin e uljes së të sëmurëve faktikë.

E-group shprehet se “një javë më parë, në deklaratën e saj publike, Akademia e Shkencave (nëpërmjet komisioneve të saj të përhershme: komisioni i mjekësisë dhe ai i matematikë-informatikës), paralajmëroi, duke vlerësuar dhe sintetizuar të dhënat, “rolin përcaktues të kësaj periudhe për ecurinë e mëtejshme te pandemisë”.

“Shtimi me 17 të prekur të rinj i numrit tërësor të të sëmurëve gjatë ditës së fundme përbën një rritje prej 4 për qind. Kjo rritje është në vijimësi të logjikës së ecurisë gjatë javës që po mbyllim, me një mesatare rritjeje ditore prej 3.8 për qind. Këto janë ritme karakteristike të fazës se sheshimit të kurbës së rritjes” shprehet E-group.

Po ashtu për situatën në Itali, E-group shprehet se “dje, në Itali dhe specifikisht në Lombardi, Milano e Bergamo, u shënjuan gjegjësisht rritjet prej 2.7 për qind, 2.27 për qind, 2 për qind dhe 1 për qind. Por, në dallim nga Italia, deri tani ritmi i shërimeve në vendin tonë është shumë më i lartë. Shifrat gjegjëse janë 45 për qind dhe 22 për qind. Kjo dinamikë e treguesve ka bërë që Shqipëria të hyjë më shpejt në fazën e daljes nga pandemia. Gjatë javës që po mbyllim treguesit e pandemisë tek ne kanë ecur sipas pritshmërive dhe parashikimeve që janë bërë edhe prej Akademisë së Shkencave, komisionit të përhershëm të mjekësisë, të atij të matematikë-informatikës dhe të anëtarëve të E-group-it tonë “Në ndjekje të pandemisë”.

E-group shprehet se “gjatë javës në vazhdim kërkohet vazhdimi i të njëjtave masa kryesore dhe i së njëjtës përkujdesje, me qëllim që rritja të mbahet nën 3 për qind.Në shkallë botërore dje u shënjua një rritje prej 5.8 për qind, nga 5.6 për qind që u raportua një ditë më parë. Kjo për shkak të gati dyfishimit të numrit të të prekurve të rinj në Britaninë e Madhe (8.680 të infektuar të rinj, kundrejt 4.200 të infektuarve një ditë më parë). Britania e Madhe dhe Rusia janë në fazën e zgjerimit të pandemisë, me 9 për qind deri në 18 për qind rritje në ditë.

Për sa i përket situatës në SHBA, E-group shton se “në SHBA dje u shënjua indeksi më i ulët i rritjes: 7.1 për qind, nga 7.7 për qind një ditë më parë. Por ndërkohë, për fat të keq, humbja e jetëve njerëzore ishte përsëri në nivelet më të larta, me 2.035 veta. Treguesit e lartë të vdekshmërisë mbeten shqetësues edhe per vendet kryesore europiane, ndonëse këta tregues, përveç Belgjikës, dje shënjuan ulje. Kjo u vërtetua në Francë, Spanjë, Itali, Holandë dhe Gjermani. Pritet që kjo tendencë të theksohet në ditët e ardhshme”.

Po ashtu E-group shton se “Europa në tërësi ka shënjuar një rritje të të prekurve të rinj në kufijtë nën 5 për qind. Konkretisht, në Spanjë, Gjermani, Zvicër dhe Austri ky tregues u dëshmua gjegjësisht në nivelet 3.3 për qind, 3.3 për qind, 2 për qind dhe 2.4 për qind. Shmangie të kuptueshme përbëjnë treguesit e Francës dhe Holandës, me 6 për qind. Ndërsa Belgjika, me 6.7 për qind rritje gjatë ditës së djeshme, po njeh një tendencë jostabilizimi”.

“Shërimet në vendet europiane, ku dhe përhapja e pandemisë është më e gjerë, ndonëse me ulje gjatë ditës së djeshme, si trend janë në nivele të kënaqshme. Arritja e shërimeve në nivelet 46 për qind në Zvicër, 44 për qind në Gjermani, 35 për qind në Spanjë dhe mbi 22 për qind në Francë, përbën një tregues pozitiv, çka përshpejton daljen e Europës nga faza e pikut”, shprehet E-group. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com