Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pas publikimit të paketës së zgjeruar të mbështetjes për 176 mijë familje, bashkë me familjet që u përfshinë në paketën e parë, ne jemi në një shifër që prek dhe ndihmon drejtpërdrejt më shumë sesa gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në Republikën e Shqipërisë”.
Kryeministri Rama sqaroi sot qytetarët mbi pyetjet e ndryshme që kanë lidhur me paketën e zgjeruar të mbështetjes financiare.
Rama tha se “ne duam që kjo pagë prej 400 mijë lekësh të vijë drejtpërdrejt tek qytetari, jo të kalojë nëpërmjet pronarit apo kompanisë”.
Duke folur mbi përzgjedhjen e punonjësve, Rama tha se është bazuar në listëpagesat e paraqitura nga kompanitë.
“Të gjithë ata që figurojnë të larguar, të papaguar javë pas jave në këto lista janë të identifikuar dhe do të duhet vetëm që në momentin që do të hapet faqja përkatëse në adresën online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, thjesht të konfirmojnë. Ne e disponojmë emrin e qytetarit i cili duhet vetëm të konfirmojë”, tha Rama.
Ai theksoi se “është një konfirmim shumë i thjeshtë, pa asnjë procedurë verifikimi siç ndodh me paketën e parë ku është e detyrueshme të bëhet një verifikim edhe në terren nga inspektorët”. “Për paketën e parë është një procedurë pak më e gjatë. Sot që flasim janë paguar 31 mijë persona, mbeten ende edhe 40 mijë të tjerë pa u paguar”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se “askush nuk do të mbetet pa marrë pagën, por verifikimi kërkon kohën e vet sa i përket kontabilitetit shtetëror”.
Ndërsa për personat e përfshirë në paketën e zgjeruar është thjesht dhe vetëm një klik, një konfirmim që “po, jam unë dhe kaq”.
“Të gjithë ata që janë si në kategorinë e parë dhe të dytë, do t’i marrin paratë në llogarinë e tyre të drejtpërdrejtë, jo duke kaluar nga pronari. Ne duam që paratë siç janë të vijnë drejtpërdrejt në arkën e familjes tuaj”, tha Rama. /atsh