Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se “pagesat e punonjësve në kushtet e situatës së jashtëzakonshme, do të bëhen menjëherë këtë muaj. Jemi duke procesuar aplikimet, kemi 5 700 biznese me 9 mijë punonjës vetëm sot dhe me të mbarur procesi dhe me të verifikuar numrin e llogarisë bëhet kalimi i pagesave në llogaritë bankar”.
“Hapja e llogarisë nuk është e vështirë nga individët të cilët e zgjedhin vetë bankën që duan. Tërheqja mund të bëhet me sportel ose me kartë”, tha Denaj.
Sipas saj, nëse kemi përcaktuar 10 ditëshin e parë të prill si periudhë që do të procesojmë ne themi që deri në datën 15 prill të gjitha pagesat janë të mundshme.
“Ne flasim për një pagë mujore dhe në muajin prill do të procesohet një pagë mujore për muajin prill, efektiviteti i këtij vendimi është nga data 1 prill dhe në konteksin e këtej efektiviteti flasim për muajin prill. Në maj do të merret paga e majit dhe në qershor paga e qershorit” -tha Denaj.
Sipas saj, “një nga masat që ka marrë qeveria në kushtet e situatës së fatkeqësisë natyrore është ndihma e papunësisë, e cila është një pagë sa gjysma e pagës minimale, e cila sigurisht si fond është dyfishuar dhe konkretisht është në shumën 26 mijë lekë”.
Gjatë një interviste televizive, Denaj u shpreh se, vlera e pagës minimale është menduar sa një pagë bazë për të pasur një trajtshmëri mbështetje.
“Unë e kuptoj që për një person që ka pasur një buxhet të caktuar për një muaj, kuptohet që ky është një ngushtim, por është një shumë që në kushte të tjera nuk do të mundësohej”- tha Denaj.
Pikërisht, vijoi ajo, për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve dhe atyre familjarëve të cilët ishin me pagë 0 të deklaruar, e marrin pagën 26 mijë lekë.
“E thënë ndryshe në një familje kryefamiljari që ka qënë i deklaruar me një pagë ndoshta 26 mijë, (ose kryefamiljarë të tjerë deklarojnë në vlerën 50 mijë), nëse flasim për një pagë të tillë 26 mijë lekë, bashkëfamiljari i tij me deklarimin 0 do të marri edhe ai 26 mijë lekë të dyja bashkë bëjnë një fond që është i rëndësishëm, për atë familje në këto kushte”- shpjegoi Denaj.
Denaj tha se, masat vijnë në një kontekst ndihme më shumë se ndihma ekonomike. Ka familje që marrin ndihmë ekonomike që është sa gjysma e pagës minimale por paketa e masave mbështetëse synon të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
“Në varësi të kohëzgjatjes së situatës së vështirë qeveria do të mendojë dhe skenarë të tjerë mbështetjeje, por në këtë fazë kjo është masa e parë”, përfundoi Denaj./atsh