“Mund t’i japim llogari PD në kohë reale për çdo gjë që ose e konstaton nga procedurat nga komunikimet tona ose e konstaton nga ankesat e drejtpërdrejta që shumë qytetarë mund t’i bëjnë në adresën e tyre. Dhe vetëm pasi të marrë përgjigjen tonë atëherë mund të bëjë një dallim mes gjërave që bëjnë sens dhe gomarllëkut”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike ndaj Ministres së Mbrojtjes, Rama tha se, “nuk dua të komentoj akuzën, dua të komentoj hipokrizinë. Sepse kemi pasur dhe e kam thënë në një rast apo dy raste të tjera, një mbledhje përmes kompjuterit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti i Republikës dhe aty ka qenë i pranishëm dhe kreu i PD. Dhe ka qenë një mbledhje shumë e veçantë për nga përgjegjshmëria, aftësia për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe shprehjet e konstruktiviteti që unë i kam çmuar realisht. Sikur politika shqiptare të kishte tonin e asaj mbledhjeje, ku natyrisht nuk ishim dakord me të gjitha për sa i përket. Këtu kam parasysh kryetarin e PD sepse me zotin President, për hir të së vërtetës dhe kjo duhet thënë dhe e kam falënderuar edhe publikisht, pavarësisht se çfarë ndodhi përpara fillimit të kësaj lufte, kemi pasur dakordësi të plotë në çdo gjë. Kemi bashkëpunuar në nivel të ministrisë së Jashtme dhe zyrës së Presidentit për të adresuar problemin e atyre shqiptarëve që tanimë janë riatdhesuar, që ishte realisht një problem dramatik. Dhe kisha parasysh pra kryetarin e PD”.
“Më vjen shumë keq për këtë hipokrizi, sepse kryetarit të PD i kam thënë dhe po ia them përsëri edhe publikisht që në këtë kohë lufte gjëja e parë që duhet menduar, nga të gjithë ata që kanë një kamera përpara, kamera në një studio televizive siç keni dhe ju apo kamera në një smartfonë për të bërë komunikime e tyre siç kemi edhe ne. Pra çdokush nga ne, ju që po flisni me mua tani dhe unë që po flas me ju dhe të gjithë përfshirë kryetarin e PD dhe ata që dalin në emër të tij, gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është, këta që janë në shtëpi, këta që kanë mbyllur biznesin, këta që po jetojnë me ankthin e humbjes së vendit të punës, këta që nuk paguajnë dot detyrimet kreditore sot në këtë luftë. Këta që janë kompani që mbajnë në punë qindra mijëra njerëz. Janë të gjithë njerëzit tanë”, u shpreh Rama.
“Në këtë luftë ne jemi të gjithë shqiptarë, nuk jemi socialistë, nuk jemi demokratë, nuk jemi qeveritarë, nuk jemi opozitarë, jemi shqiptarë. Ku secili ka një detyrë. Natyrisht detyra e opozitës është të bëjë atë pjesë të kësaj lufte që të garantojë që zëri i çdokujt të dëgjohet dhe i kam ofruar gjënë më të thjeshtë në botë. Përpara sesa të dilni dhe të flisni gomarllëqe, nuk ia kam thënë kështu, por po ia them kështu gomarllëqe, ju lutem shumë informohuni. Ne ju vëmë në dispozicion gjithçka, plus edhe argumentet tona, përpara sesa të dilni dhe t’u thoni shqiptarëve që qeveria po shpërndan maska të skaduara që helmojnë dhe që krijojnë probleme frymëmarrjeje për personelin mjekësor. Çka është një gomarllëk, por që në kohë lufte është një faj që hyn në sferën krimit ndaj njerëzve, na kërkoni ne llogari. Na thoni ju lutem shumë ne kemi këtë informacion, po. Këto maska janë të skaduara. Si ka mundësi që këto po shpërndahen. Dëgjojeni argumentin tonë dhe vetëm nëse argument jonë nuk ju pëlqen, nuk ju bind, ju duket një gënjeshtër, dilni dhe thojani publikut”, tha Rama.
“E njëjta gjë dhe për këtë që më pyetët ju. Është një gomarllëk dhe më vjen shumë keq, sepse nëse do të kishin marrë paraprakisht informacionin që u kemi ofruar, jam i bindur që nuk do të dilnin të flisnin dhe të ndanin me publikun gomarllëkun e tyre”, u shpreh Kryeministri.
“Më vjen shumë keq që flas kështu. Nuk dua në asnjë mënyrë të humbas kohë të merrem me ta dhe nuk duam të merremi me çfarë thonë, janë të lirë ta bëjnë. Sepse njerëzit nuk kanë nevojë për politikën e para luftës, njerëzit kanë nevojë për një polikë të luftës. Për një politikë të bashkuar me një qëllim të madh, me një qëllim shumë të madh që të fitojmë luftën. Dhe kjo luftë fitohet me njerëzit dhe njerëzit që janë në shtëpi dhe që e kanë syrin tek televizori dhe që e kanë syrin tek ne nuk mund të ushqehen me gënjeshtra, nuk mund të ushqehen me falsifikime, nuk mund të ushqehen as me gomarllëqe sepse këto gjëra i helmojnë, i mërzisin, i demotivojnë. Dhe kjo histori nuk mund të jetë që dil në televizor, sulmo dhe dalim ne pastaj përgënjeshtrojmë se kjo pastaj na kthen jo në shërbëtorë të popullit në këtë kohë lufte, jo prijës të luftës, por thjesht në persona qesharakë dhe të papërshtatshëm”, tha Rama.
“Kjo është përgjigja ime dhe e përsëris kryetari i PD duhet ta dijë mirë se ka në dispozicion çdo përgjigje. Mund t’i japim llogari PD në kohë reale për çdo gjë që ose e konstaton nga procedurat nga komunikimet tona ose e konstaton nga ankesat e drejtpërdrejta që shumë qytetarë mund t’i bëjnë në adresën e tyre. Dhe vetëm pasi të marri përgjigjen tonë atëherë mund të bëjë një dallim mes gjërave që bëjnë sens dhe gomarllëkut”, theksoi Rama. /atsh