Naftëtarët e Ballshit do të përfitojnë nga një vendim që bëhet nesër aktiv për pagë luftë në masën 40 mijë lekë.
Lajmin e mirë e bëri sot të ditur ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. I ftuar në një studio televizive Ahmetaj tha se “ne kemi hartuar, me urdhër të Kryeministrit dhe pas një analize të gjatë një vendim që bëhet nesër aktiv për pagë luftë për kategorinë e naftëtarëve të Ballshit, në masën 40 mijë lekë”.
Ai tha se “brenda të njëjtit vendim është edhe kategoria e të gjitha familjeve që dikur kanë aplikuar për ndihmë ekonomike, por që nuk janë lejuar për shkak të pikëzimit, apo edhe ato familje që kanë hyrë në skemë dhe kanë dalë për shkak të pikëzimit”. Ahmetaj tha se “kësaj kategorie do t’i jepet një pagë dyfishi i ndihmës ekonomike, pra 160 mijë lekë të vjetra”.
Ahmetaj informoi gjtihashtu se brenda javës tjetër do të vendoset për shtyrjen e kredive edhe për 3 muaj të tjerë, pra në total për 6 muaj.
“Logjika është kjo, që nëse ty të shtyhet deri në maj pagesa e kredisë, por s’ke punuar nuk ke si ta paguash. Kryeministri kur ka lexuar kërkesat i ka kërkuar që javës tjetër të bëhet me Guvernatorin një shtyrje tjetër që t’u jepet kohë të paktën edhe 3 muaj të tjera, në mënyrë që të kenë 2-3 muaj punë dhe të paguajnë kredinë”, tha Ahmetaj.
Po ashtu, ministri sqaroi edhe përfituesit e pagës së luftës nga paketa e parë dhe nga paketa e zgjeruar.
Ai tha se “për biznesin e madh por edhe për biznesin e vogël sot ka marrëveshje me të gjitha bankat dhe vetëm sot në bankë janë bërë 72 aplikime me destinacion vetëm rrogat”.
Po ashtu, Ahmetaj informoi edhe për instrumentin e dytë në mbështetje të biznesit që ka të bëjë me mjetet, xhiron dhe asetet fiskale, shpenzime të ndryshme të sipërmarrjes, likuiditetin dhe investimet. “Janë 150 milionë dollarë ndarje risqesh me garancinë e shtetit. Do na duhen 5-7 ditë, e kemi futur në aktin normativ të buxhetit këtë instrument dhe besoj se për 7 ditë do të jemi gati”, tha Ahmetaj.
Ai tha se nga paketa e parë kanë përfituar page lufte deri tani 52 mijë qytetarët dhe 10 mijë të tjerë janë miratuar dhe pritet ta marrin këto ditë.
Ndërsa për paketën e zgjeruar, Ahmetaj tha se “ka filluar aplikimi”. Këtu sipas tij, përfitojnë të gjithë tregtarët që veprojnë brenda tregjeve, që përfshihen brenda numrit të 100 mijë bizneseve të vogla që përfitojnë nga paketa e zgjeruar.
Për disa qytetarë të cilët nuk kanë përfituar nga paketa e pare edhe pse u takonte, ministri Ahmetaj tha se së pari janë disa raste kur emërtimi i aktivitetit në QKB nuk përkonte me aktivitetin real”. “Përshembull janë bar kafe të regjistruara si subjekte tregtie ushqimore”, tha ai.
Ndërkohë, ai sqaroi se punonjësit e fasonerive nuk përfitojnë, pasi konsiderohen aktivitete të lejuara për të ushtruar aktivitet.atsh