Loading...

Mjeku shqiptar që punon në Breshia: Krenar për ekipin shqiptar, Italia ndjeshmëri të lartë ndaj solidaritetit

Mjeku shqiptar Julian Balla, i cili punon në Breshia të Italisë deklaroi në një nga mediet e vendit se situata është drejt përmirësimit në shtetin fqinj.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka publikuar intervistën e mjekut shqiptar i cili u bën apel edhe qytetarëve shqiptarë për të qëndruar në banesat e tyre.

“Provinca e Breshias ka qenë një nga më të prekurat, edhe pse në media është trumbetuar më shumë Bergamo, diferenca është diku te 100 pacientë që kanë ndërruar jetë. Fatmirësisht, prej 4 ditëve, numrat janë në rënie, kjo na e ka lehtësuar disi punën dhe tashmë presioni ka filluar disa të bjerë. Vetëm një ditë më parë, në Breshia kanë dalë nga spitali mbi 300 persona të shëruar”, – shprehet mjeku shqiptar.

Më tej, ai foli edhe për numrin e lartë të viktimave në Itali, duke dhënë edhe disa arsye të mundshme që kanë sjellë këtë tragjedi, nga testet e pakta, te mosha e lartë e popullsisë.

“Kam qenë kritik sa i përket menaxhimit të tamponëve. Tamponi në masë nuk është aplikuar dhe kjo ka sjellë edhe më shumë të vdekur. Numri i lartë i viktimave i referohet edhe faktin se në të gjithë Italinë janë të shtruar rreth 4 mijë pacientë në terapi intensive. Italia ka një moshë shumë të vjetër, është edhe populli që ka një përqindje shumë të lartë të sëmundjeve. Pjesa më e madhe e pacientëve kanë 3 apo 4 patologji shoqëruese. Të gjitha këto kanë ndikuar në këtë tragjedi.”

Mjeku shprehu krenarinë e tij për ekipin shqiptar të mjekëve që i janë bashkuar ekipit italian. “Unë jam ndjerë me të vërtetë krenar dhe është një atmosferë jashtëzakonisht pozitive në drejtim të komunitetit shqiptar të Breshias që është i lartë në numër dhe ka pasur një ndjeshmëri shumë të lartë, një ndjenjë krenarie le të themi, pa e ekzagjeruar”.

Në fund, ai ndau një apel për qytetarët: “Ju lutemi qëndroni në shtëpi. Nuk ka asnjë sistem shëndetësor që mund të përballet me një krizë të tillë. Vetëm karantinimi mund ta luftojë këtij virus”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com