Aktorja Zhaklina Dhimojani ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “Rudina” në TV Klan, nga shtëpia e saj në Zvicër.
Aktorja mbahet mend për rolin e saj si Mimoza Llastica dhe një pjesë nga filmi u transmetua edhe gjatë emisionit. Zhaklina tregoi gjatë intervistës situatën në Zvicër dhe jetën e saj private, marrëdhënien me bashkëshortin dhe vajzën e saj.
Aktorja tregoi se në Zvicër nuk janë vendosur shumë masa dhe se zvicerianët mendojnë se kanë imunitet si popull.
“Këtu nuk është aq tragjike situata, në përgjithësi është e ndaluar të bësh grupe me më shumë se 5 persona, në rrugë mund të dalë kushdo, nuk kontrollohet, mund të shkosh kur të duash për të bërë pazarin, kërkohet distanca.
Zviceranët në përgjithësi nuk kanë frikë si ne mesdhetarët. Para pak javësh një grua kur më pa me maskë, më tha: Ej, jemi në Zvicër ne! Mendojnë se janë me imunitet si popull”, tha Zhaklina.
Sa i përket karantinës, aktorja tregoi se ajo është izoluar me familjen dhe mezi e ka bindur bashkëshortin për të qëndruar në shtëpi.
“Jam në shtëpi me familjen, kam një vajzë, është në universitet, studion për shkencat e Lindjes së Mesme, do bëhet politikane e mirëfilltë. Im shoq është në shtëpi pasi këmbëngula unë, del vetëm për ndonjë konferencë shtypi ose ndonjë emision. Im shoq është Shefi i përgjithshëm i policisë.
Marrëdhënia ime me karantinën është kështu: Ditët e para rrija vetëm në kuzhinë, pastaj ra entuziasmi i kuzhinës, fillova pastrimin e garderobës, sport në oborr, shoh Netflix, nuk kam lexuar shumë të them të drejtën. Nuk jam një tip që më mungon shumë e dalura, por më bën keq ideja që nuk mund të pres një biletë avioni e të shkoj diku”, u shpreh aktorja./Xing.al