Loading...

Meta: Qytetarët të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë

Presidenti Ilir Meta deklaroi mbrëmjen e sotme se “jam duke ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi”.

Ai shprehet se “situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë”.

“Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia COVID-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme. Në të mirë të të gjithëve, shtetasit tanë duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë”, deklaron Meta.

Ai u bën thirrje të gjithëve që “duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com