Kancelarja gjermane Angela Merkel është rikthyer në zyrën e saj, pasi kaloi dy javë në karantinë, në shtëpi, për shkak të koronavirusit, deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
“Tani puna e saj vazhdon nga kancelaria, me masa distancimi social”, shtoi Seibert.
Merkel hyri në karantinë më 22 mars pasi u informua se ajo kishte pasur kontakte më 20 mars me një mjek që më pas kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.
Mjeku e kishte vaksinuar Merkelin në mënyrë parandaluese kundër pneumokokut, një lloj bakteri që mund të shkaktojë pneumoni.
Kancelarja Merkel u testua tri herë për koronavirusin, por të gjitha testet rezultuan negativ.
Ajo megjithatë vendosi të përfundojë karantinën dyjavore, gjatë së cilës punoi nga shtëpia./atsh