Më në fund, lajme të mira nga Italia.
Autoritetet njoftojnë një rënie të ndjeshme të numrit të viktimave nga koronavirusi.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetë 431 persona, gati 200 më pak se të shtunën. Në rajonin më të prekur, Lombardinë, numri i viktimave ditore ishte vetëm 110, shifër që inkurajon më tepër për kapërcimin e krizës shëndetësore. Kjo është shifra më e ulët që prej 19 marsit, kur u regjistruan 427 viktima, ndërsa këto tri javë kanë qenë tragjike me një numër viktimash mbi 600.
Premtuese duken edhe shifrat e personave të shëruar, 1677 në 24 orët e fundit, dhe 34211 në total. Ndërkohë, numri i viktimave në total ka shkuar në 19899, ndërsa të shëruar kemi 34211. Gjithashtu, është ulur edhe numri i personave që janë në terapi intensive, duke shkuar në 3343, pra 38 më pak se dje.