Loading...

Mbretëresha Elizabeth II, në një fjalim të rrallë përballë pandemisë së koronavirusit

Mbretëresha Elizabeth II, në një fjalim të rrallë televiziv, iu drejtua qytetarëve britanikë për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit me vendosmërinë dhe vetëdisiplinën që e ka karakterizuar kombin përmes provave më të mëdha, shkruan “New York Times”.

“Po ju flas në një kohë që e di së është shumë sfiduese”, deklaroi mbretëresha duke iu referuar virusit që ka infektuar të paktën 40 000 qytetarë në Britaninë e Madhe, përfshirë djalin e saj më të madh dhe trashëgimtarin, princin Charles dhe kryeministrin, Boris Johnson.

Mbretëresha e quajti një kohë trazire në vend, një trazirë që disave i ka sjellë pikëllim, të tjerëve vështirësi financiare dhe ndryshime të mëdha në jetën e përditshme të të gjithëve.

Ishte vetëm hera e katërt në mbretërimin e saj 66 vjeçar që mbretëresha iu drejtua popullit britanik, përveç përshëndetjes së saj vjetore të Krishtlindjes dhe ky fjalim mbarti një jehonë të veçantë, si ajo e babait të saj, George VI, në shtator 1939, ndërsa Britania e Madhe qëndronte në prag të luftës me Gjermaninë.

“Shpresoj se në vitet në vazhdim, të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën se si iu përgjigjën kësaj sfide dhe ata që do të vijnë pas nesh do të thonë se britanikët e kësaj gjenerate ishin po aq të fortë sa çdokush. Se atributet e vetëdisiplinës, e një vendosmërie të qetë dhe të ndjenjës së vllazërisë, ende e karakterizojnë këtë vend”, theksoi mbretëresha.

“Edhe pse kemi kaluar shumë sfida, këtë herë është ndryshe. Këtë herë jemi bashkuar me të gjitha kombet kudo në botë, në një përpjekje të përbashkët. Do ja dalim me sukses dhe ky sukses do na përkasë të gjithëve”.

“Ne duhet të ngushëllohemi me faktin se, paçka se mund të kemi ende shumë për të duruar, ditë më të mira do të vijnë, do të jemi përsëri me miqtë tanë, do të jemi përsëri me familjet tona, do të takohemi përsëri”, shtoi ajo./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com