Loading...

Masat ndaj COVID-19/ Zgjatje e fashës së orareve, por rritje e ndëshkimeve deri në heqje lirie

Paralelisht me lehtësirat që do të krijohen në fashat e orarit, kryeministri Rama prezantoi planin e ashpërsimit të masave, ku thyerja e tyre në mënyrë të përsëritur do të shkojë deri në heqje lirie.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryeministri u shpreh se shkelja e rregullave sjell një katastrofë për Shqipërinë, ndaj edhe është menduar ashpërsimi i masave.

“Fatmirësisht, kjo nuk ndodh kudo në Tiranë, ndodh në tregun e Kombinatit dhe tek-tuk diku tjetër, por kjo del dhe tepron për t’i bërë gjëmën Tiranës por të gjithë Shqipërisë. Po të ishte çështje fashe orari do të ndodhte kudo, po të ishte halli i njëorëshit, do të ndodhte me të gjithë, po të vinte nga pamundësia për të bërë me korrektesë detyrën, do të ishte një fenomen dhe do të na kishte rënë zjarri me kohë, por jo. Kjo ndodh, sepse disa nuk po duan akoma të kuptojnë. Ku ka më keq sesa të mos i japësh lamtumirën dot njeriun të dashur, por ja që në tërë botën, si dhe në Shqipëri, janë ndaluar ceremonitë funerale fetare apo laike, sepse i bie të kthehesh nga varrezat me rrezikun e vdekjes në trup si pjesë e një zinxhiri të infektuarish. Nuk e ndava me ju sot, sepse do të bëheshin shumë, një pamje tmerruese nga një varrim në Peshkopi. Aman o njerëz, aman, po pse me gjoba dhe polici do të zgjidhim këtë punë edhe për funeralet, edhe për të shtatat, edhe për të dyzetat e traditës tonë? Po ja që mbase do të detyrohemi të shkojmë deri këtu, sepse në Shkodër e infektuan njëri-tjetrin fatkeqësisht në një mort dhe pastaj e bënë zinxhir dhe për të shtata. E lus Zotin që të shërohen dhe të mos sjellë morti mort, por kështu është kjo luftë. Kur e vumë këtë fashë orare, projeksioni ynë do të zgjatej deri të hënën e ardhshme, pra pasnesër, por jemi të detyruar ta shtyjmë për minimumi për disa ditë, sepse më parë duhet të merremi vesh mirë. Sepse të gjithë duhet ta marrin vesh dhe ta mësojnë se më e keqja jo nuk ka kaluar, por nuk ka ardhur akoma. Kjo nuk është çështje oraresh, por çështje zemreku të sahatit të trurit që disave u ka mbetur po 12″, – tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se 4 qytete rrezikojnë të kthehen më së shumti në vatra infeksioni nëse thyejnë rregullat. “Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri rrezikojnë të bëhen Vaterloja jonë nëse nuk i shtrëngojmë mirë vidat e zinxhirit mbrojtës”,

Ai prezantoi planin ku theksoi se “plani që ne po përgatisim, që do të kthehet në ligj shumë shpejt dhe më pas do të hyjë në veprim i përshkallëzuar sipas dinamikës së luftës. Si fillim do të zgjasim fashën orare, por paralelisht do të rrisim ndëshkimet dhe për rastet e përsëritura, do të shkojmë deri në heqje lirie. Deri në heqje lirie ata që shkelin kohëdaljen për pazare të cilën edhe mund ta zgjasim pak më shumë që të mos kemi më llafe me asnjë nga kompetentët që qahen për kohën e shkurtër. Më pas gjithmonë me shkallë dhe sipas dinamikës, do të përpiqemi të lejojmë automjetet private me fashë orari të zgjatur për të gjithë punonjësit e kompanisë apo sipërmarrjes që kanë aktivitet ligjërisht të lejuar, por kjo patjetër që do të shoqërohet edhe me rritjen e ndëshkimeve deri në heqje lirie. Për shembull, nëse automjeti përdoret për të transportuar persona të tjerë me sebepin e shoferit që ka një leje për punë. Më pas, do të autorizojmë hapjen e dyqaneve, dyqaneve që nuk janë brenda qendrave tregtare, ku do të kërkohet me detyrim pajisja me maska e doreza mbrojtëse e personave që shërbejnë. Do të vendosen rregulla strikte për mënyrën se si do të shërbehet, shkelja e të cilave patjetër që do të ndëshkohet me mbyllje, me konfiskim të mallit e deri me heqje lirie. Të gjithë sipërmarrësit e këtyre aktiviteteve të përgatiten për të qenë të gatshëm, që në momentin e hapjes, të mbrojnë personelin dhe klientët sipas rregullave që do të vendosen”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com