Bashkia e Vlorës po bën një punë të jashtëzakonshme për identifikimin e grupeve dhe shtresave në nevojë për t’i ndihmuar me ndihma ushqimore dhe ilaçe, në kuadër të luftës kundër përhapjes së COVID-19.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në një situatë të vështirë të pazakontë bashkisë së Vlorës i ka dalë përballë sfida e identifikimit të grupeve dhe shtresave në nevojë, për të cilën bashkia ka organizuar një strukturë strukture hierarkie, ku për çdo rajon dhe njësi administrative ekziston një grup i i përbërë nga kryetari i rajonit, punonjës social, punonjës policie bashkiake punonjës poste dhe vullnetarë”.
Sipas tij, ky grup luan rolin kryesor në identifikimin e shtresave në nevojë.
“Gjithashtu një pjesë e kërkesave vijnë edhe nëpërmjet rrugëve elektronike si whatsapp duke nisur nga numri im personal, çdo administrator, si dhe 4 numra telefoni që janë vendosur në dispozicion, facebook i bashkisë Vlorë dhe ai i imi personal , portali ‘Shqipëria që duam,” apo dhe numrat jeshil. Çdo kërkesë i shpërndahet kryetarit të rajonit përkatës, i cili merr masat e nevojshme për verifikimin e situatës dhe më tej ndjekjen sipas rasteve”, – sqaron Leli.
Përsa i përket shtresave në nevojë të identifikuara në bashkinë e Vlorës, Leli tha se “janë personat me aftësi të kufizuara, pensionistë të cilët jetojnë vetëm në familje apo individë në nevojë, komuniteti rom dhe egjiptian familje me më shume se 5 anëtarë përfitues të ndihmës ekonomike”,
Kryebashkiaku Leli shprehet se “përveç strukturës së organizimit, e cila krijon gjithëpërfshirje ndërsektoriale në bashkinë e Vlorës, ne nuk kemi patur sfidë të veçantë identifikimin e pjesës informale sepse skema kapilare e shtrirë në çdo qelizë të institucionit të bashkisë na ka lejuar hapësira dhe lehtësira për të shkuar deri te pjesët më të vështira të shoqërisë”.
“Kjo do të thotë që janë marrë në konsideratë dhe janë vlerësuar të gjitha informacionet, kërkesat dhe nevojat e çdo qytetari që ka arritur të aksesojë në kohë reale të gjitha mjetet e vëna në dispozicion, komunikative të vendosura nga bashkia si më lart përmendur”, – tha Leli.
Ai u shpreh se “menaxhimi është realizuar në një frymë profesionale, solidariteti e disponibiliteti të pakushtëzuar nën drejtimin tim si kryetar i bashkisë dhe si kryetar i komisionit qendror në skemën e ngritur të grupit të punës”.
“Jemi në luftë dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Jemi duke diskutuar me të gjitha bashkitë e tjera dhe qeverinë qendrore për marrjen e masave sa më të mira, për këto grupe, të cilët për momentin kanë kaluar si të papunë”, – tha Leli./atsh