Loading...

Kryebashkiaku i Vlorës, Leli për ATSH-në: 1500 familjeve ndihma me ushqime, vijon puna për mbështetjen e qindra të tjerave

Prej ditësh, Bashkia e Vlorës është e përfshirë në një aksion të gjerë humanitar për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Në vetëm pak ditë, filloi evidentimi i familjeve në vështirësi brenda territorit të Bashkisë Vlorë dhe më pas puna në terren për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, e cila ende vijon të jetë në proces. Ndihmat e miratuara nga fondet e bashkisë janë për 1500 familje , të evidentuara në vështirësi, ndërkohë që, në sajë të bashkëpunimit edhe me donator të ndryshëm, kësaj liste ianë duke iu shtuar edhe qindra të tjera.

Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.

“Jemi në terren dhe pranë të gjithë njerëzve që na kërkojnë mbështetje”, thotë për ATSH-në kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Ai thekson se, në këto ditë të vështira shfaqet edhe solidariteti i shoqërisë, i komunitetit, për të përballuar situata të tilla të jashtëzakonshme.

Pas shpërndarjes së pakove me produktet bazë të ushqimit të përditshëm, si vaj, sheqer, miell, oriz, makarona etj, paralelisht po punohet në bashkëpunim edhe me donatorët.

Java e kaluar ishte mjaft intensive, kjo në vijim është edhe më e gjerë. Numrat e telefonit të vënë në dispozicion në faqen web të Bashkisë, apo edhe në rrjetet sociale, janë mënyra e ndërsjelltë e komunikimit për të realizuar procesin e identifikimit dhe të asistencës, për të gjithë ata që janë të ekspozuar përballë riskut.

Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.

“Po bëjmë gjithçka është e mundur që të amortizojmë pasojat dhe njerëzit të mos ndjejnë mungesat”, citon kryebashkiaku Leli, i cili shton se, po zhvillohet edhe një punë intensive sensibilizimi për të përfshirë në këtë aksion, individë dhe subjekte.

Ka mjaft shembuj në këtë drejtim, që përcjellin mbështetje dhe bashkëpunim konkret tek kryebashkiaku Leli, duke marrë prej tij falenderim dhe mirënjohje.

Ai thotë se,” Vlora e këtyre ditëve është Vlora e solidaritetit, e vlerave të mbështetjes dhe të humanizmit”. Prandaj dhe koordinimin dhe rakordimin e punëve për të realizuar gjithçka në formën më të mirë të mundshme, e cilëson edhe si një detyrim ndaj atyre njerëzve që janë ofruar me mundësi konkrete, duke hequr një pjesë të mundit nga përditshmëria e tyre.

“Ata nuk kanë nevojë për falenderim publik, pavarësisht se unë do të doja ta bëja këtë për secilin prej tyre, ashtu siç kam përcjellë këto ditë mbështetje për të gjitha familjet që kanë nevojë për ne”, shprehet Leli.

Ndërkaq ai shprehet se, do të donte që përmasat e këtij solidariteti të shtohen në vijimësi, prandaj dhe përmes ATSH-së bën thirrje që, kushdo që ka mundësi, të marrë në përkujdesje e patronazh një të moshuar të vetmuar, një familje në nevojë, sepse, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës, kapacitetet e bashkisë janë të kushtëzuara.

“Ne operojmë mbi bazën e VKM NR.236 dhe i kemi të specifikuara kategoritë e familjeve që mbështesim me ndihma, prandaj dhe për të zgjeruar këtë proces, na duhet edhe mbështetja e të gjithë atyre që kanë mundësi, për t’ju përgjigjur më mirë nevojave reale në këto moment”, shprehet kryebashkiaku vlonjat, faenderues për të gjithë ata që janë ofruar deri në këto momente dhe me dëshirën dhe besimin se ata do të shtohen në ditët në vijim.

Pas procesit të dezifektimit të qytetit, në pikënisje të të cilit, Bashkia e Vlorës ishte ndër të parat në shkallë vendi, kjo njësi vendore është përfshirë në këtë aksion masiv, që po vlerësohet mjaft nga komuniteti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com