Loading...

“Honxhobonxhot synojnë të nxisin mllef e përçarje”, Rama: Gjermania dhe Franca vepruan si ne për qiratë

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me aktin normativ të hyrë sot në fuqi për shtyrjen e detyrimeve të qirasë për disa kategori, për dy muaj, duke iu përgjigjur opozitës se edhe Gjermania dhe Franca kanë bërë të njëjtën gjë si Shqipëria në kohën e përhapjes së pandemisë.

“Honxhobonxhoja është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendim përballë faktit, po nuk ndryshon as argument”, thotë një fjalë e mençur. Dhe meqë këta honxhobonxhot opopopozitarë vazhdojnë merren me qeverinë, sepse duan të vrasin me një gur dy zogj, duke synuar nga një anë të nxisin mllef e përçarje mes popullit e qeverisë që po luftojnë së bashku, e nga ana tjetër shkatërrimin e arkës së shtetit për të nxitur rrëmuja më pas si në 97-ën, ja se kush tjetër ka bërë fiks të njëjtën gjë për qiratë”, – nënvizoi Rama.

“Gjermania – mospërmbushja e detyrimit kontraktor të pagimit të qirasë që rrjedh nga një kontratë e qirasë, nuk përbën shkak për qiradhënësin të zgjidhë kontratën. Pamundësia e përmbushjes së detyrimit të pagesës së qirasë për periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2020 lidhet me gjendjen e shkaktuar nga COVID-19. Ky parashikim nuk mund të interpretohet në dëm të pronarit”, citoi Kryeministri.

“Franca – nuk mund të ndëshkohen me penalitete financiare, kamatëvonesa, dëmshpërblime, zbatimin e klauzolës së përfundimit të kontratës, apo zbatimin e çdo klauzole penale apo që aktivizon garancitë, për shkak të mospagimit të qirasë ose të tarifave të qirasë, lidhur me ambientet profesionale dhe tregtare, pavarësisht nga dispozitat kontraktuale dhe atyre të përcaktuara nga kodi tregtar. Kjo dispozitë zbatohet mbi qiratë, pagesa e të cilave duhej bërë nga 12 marsi 2020 deri në një afat prej 2 muajsh nga data e përfundimit të gjendjes së urgjencës shëndetësore”, ishte rasti i Francës.

“E pra balona tabake që ne quajmë gabimisht opozitë, ta harrojë se i bën dot Shqipërisë atë që as armiku i padukshëm nuk ka për t’ia bërë dot, sepse koha kur ky vend u katandis në balonë tauke nga këta honxhobonxho ka vdekur dhe nuk kthehet më”, – shprehet Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të informojë “për aktet zbatuese të aktit normativ mbi qiratë dhe njerëzit më në hall do të shohin edhe më qartë, se unë dhe kjo qeveri, jemi me ta dhe për ta deri në fund”.//atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com