Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se ende nuk dihet se kur do të fillojnë përballjet në futboll, duke theksuar se futbolli nuk është më i rëndësishëm se jeta e njeriut.
Në një deklaratë në faqen e internetit të FIFA-s, Infantino tha se bota po përballet me një kërcënim të ri, duke iu referuar pandemisë së koronavirusit të ri COVID-19.
Ai theksoi se komuniteti i futbollit duhet të veprojë si një skuadër.
“Ne të gjithë duam të fillojmë përsëri futbollin, por nuk e dimë kur do të ndodhë kjo. Shëndeti vjen në radhë të parë, dhe kjo duhet të jetë përparësia jonë deri sa të mposhtet kjo sëmundje”, tha ai.
Infantino theksoi se paralajmërimet e autoriteteve duhet të respektohen, duke shtuar se “asnjë ndeshje nuk është më e rëndësishme se jeta e njeriut”.
Duke iu referuar kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare, shefi i FIFA-s tha se beson që do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje. /atsh