Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se ishte e bindur se Bashkimi Europian do të dilte më i fortë nga kriza e COVID-19, pavarësisht pikëpyetjeve aktuale për solidaritetin midis 27 vendeve.
“Jam i bindur që Europa do të dalë më e fortë nga kjo krizë”, tha ajo në radion franceze ”Europe 1”.
”E mirëkuptoj britmën e alarmit të paraardhësit tim, Jacques Delors, për të cilin mungesa e solidaritetit midis europianëve paraqet një rrezik vdekjeprurës për BE-në”, theksoi ajo.
“Rreziku është i madh, por ekziston një francez tjetër i shkëlqyer, ai është Jean Monnet, ai që tha se ‘Europa është krijuar në kriza’. Më pëlqen kjo fjali, mendoj se është e vërtetë”, vuri në dukje Von der Leyen, e cila foli në frëngjisht.
“Shpesh kemi parashikuar vdekja e Europës (…) Por, sot ne jemi akoma këtu (…) Ne kemi dalë gjithmonë nga këto kriza me kokën lart”, vazhdoi ajo.
“BE mund të mos funksionojë gjithmonë në mënyrë të përsosur”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit pranoi se në fillimin e krizës shëndetësore “disa shtete anëtare kanë menduar vetëm për problemet e tyre” dhe arritën deri në mbylljen e kufijve të brendshëm ose ndalimet për eksportin e materialeve mjekësore.
”Por, ne kemi punuar shumë për t’i ndryshuar këto mentalitete. Sot këto probleme janë zhdukur dhe ne shohim shumë shenja solidariteti”, tha ajo.
Ajo premtoi një “Plan Marshall” europian, përmes buxhetit të BE-së, për të ringjallur ekonominë pas krizës./atsh